
YIHR thotë se aktiviteti u mbajt me leje të shkollës, Komuna paralajmëron masa, ndërsa Dhomat e Specializuara e cilësojnë si sesion informues në kuadër të programit të tyre informues.
Një ligjëratë mbi Gjykatën Speciale, e organizuar në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ka shkaktuar debat dhe reagime nga institucionet arsimore, përfaqësues politikë dhe organizata të ndryshme.
Aktiviteti u organizua nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), e cila ka deklaruar se ligjërata është zhvilluar me lejen e institucionit arsimor dhe kishte karakter edukativ për nxënësit, duke ofruar informacion bazik mbi funksionimin dhe mandatin e Gjykatës Speciale.
Përmes një reagimi, YIHR ka deklaruar se gjatë ligjëratës është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara.
“YIHR KS sqaron se sesioni informues i mbajtur në shkollën “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor. Sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Këto sesione janë pjesë e programit tonë për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën”, thuhet në reagim.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës dhe Drejtoria Komunale e Arsimit kanë reaguar duke thënë se aktiviteti nuk ka qenë i koordinuar me ta dhe se miratimi nuk ka kaluar përmes procedurave të nivelit komunal. Autoritetet komunale paralajmëruan edhe masa ndaj përgjegjësve për organizimin.
“Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet shpreh indinjatën për mënyrën se si është vepruar dhe njofton se do të ndërmerren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi. Po ashtu, do të trajtohet edhe roli i organizatës që ka realizuar këtë aktivitet me nxënësit e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda”. Transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale janë parime të panegociueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për nxënësit dhe mjediset shkollore”, është thënë nga Drejtoria e Arsimit nëpërmjet një postimi në Facebook.
Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh i indinjuar për zhvillimin e aktivitetit pa njoftim institucional, duke theksuar se do të ketë veprime konkrete për rastin.
“Unë faktikisht kur e mora vesh isha shumë i indinjuar për arsye se nuk ka pasur as leje as koordinim me askënd, as prej drejtorisë as prej kabinetit tim. Kemi ndërmarrë masa të menjëhershme. Pra kush ka bërë një gjë të tillë pa marrë leje, pa koordinim normal që do të ketë edhe veprime të ndryshme. Jam tejet i indinjuar me atë çka kanë bërë, nuk duhet me ndodh kurrë ajo në institucionet tona në qytet e as kund tjetër pa një leje prej Drejtorisë së Arsimit. Ato do të jenë të ndërlidhura me rregulloret në fuqi, do t’i ndërmarrim masat”, tha ai.
Ndërkohë, Sindikata e Arsimit (SBASHK) dhe disa organizata të dala nga lufta kanë kundërshtuar mbajtjen e ligjëratave të tilla në ambiente shkollore, duke shprehur shqetësim për përmbajtjen dhe ndikimin tek nxënësit.
“Është paradoksale dhe moralisht e papranueshme që sot, në po ato ambiente shkollore, të promovohet një gjykatë që, sipas nesh, po e gjykon në mënyrë të njëanshme luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke barazuar viktimën me agresorin”, thuhet në reagim e SBAShK-ut.
Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, tha për EO-në se është i befasuar nga zhvillimet dhe se sipas tij një veprim i tillë është i papranueshëm.
“Na ka ardhur befasi, sinqerisht nuk e kemi pritur që ndodh që një Gjykatë Speciale apo një Gjykatë që është e njëanshme, ju e dini që ajo është edhe një Gjykatë që nuk e kemi pranuar kurrë dhe nuk do ta pranojmë kurrë, që shkon dhe bën fushatë nëpër shkolla. Kjo ka ndodhur për herë të parë, unë nuk kam dëgjuar më herët, unë nuk e di se si drejtori i shkollës e ka pranuar ata përfaqësues të asaj gjykate që kanë shkuar dhe kanë bërë fushatë në shkolla. Ne nuk e dimë a kanë bërë fushatë anti-UÇK apo fushatë kundër UÇK dhe kundër pjesëtarëve të UÇK-së dhe kundër atyre që janë në Hagë, presidentit dhe të tjerët. Apo janë duke përgatitur një terren që ta bindin opinionin, ku tash kanë filluar që të shkojnë edhe te fëmijët dhe nëpër shkolla që dëshirojnë me i bind edhe fëmijët me i kthy kundër UÇK-së”, tha ai.
Nga ana tjetër, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë sqaruar se aktivitete të tilla janë pjesë e programit të tyre të shtrirjes së informacionit, i cili zhvillohet prej vitesh për të informuar studentë dhe grupe të ndryshme rreth mandatit, procedurave dhe punës së gjykatës. Sipas zëdhënëses Angela Griep, këto sesione kanë karakter informues dhe synojnë t’u përgjigjen pyetjeve të të rinjve, jo të promovojnë qëndrime politike.
“Ekipi i informimit i Dhomave të Specializuara këtë javë po zhvillon aktivitete për të informuar grupet studentore në Prishtinë rreth mandatit dhe procedurave të gjykatës, si dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje. Siç e dini, që nga viti 2018 ne kemi zhvilluar rregullisht aktivitete me qytetarë në të gjithë Kosovën si pjesë e programit të informimit, duke dëgjuar komentet e njerëzve dhe duke u përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje me shkrim për Telegrafin



