
Gjenerali Jack Keane, një gjeneral me katër yje, tashmë në pension, dhe ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, thotë se fushata ushtarake amerikano-izraelite e nisur kundër Iranit më 28 shkurt është një përpjekje e kalkuluar për të çmontuar arkitekturën politike dhe ushtarake të Republikës Islamike.
Gjenerali Keane, i cili tani shërben si kryetar i Institutit për Studimin e Luftës, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se sulmet dhe lajmi se udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, është vrarë gjatë operacionit, e kanë bërë këtë një “ditë historike me rëndësi të jashtëzakonshme”.
Keane tha se faza e parë e operacionit i ka tejkaluar pritjet, duke theksuar se sulmet kanë shënjestruar udhëheqjen e lartë, sistemet e raketave, infrastrukturën e dronëve dhe elemente kryesore të strukturës komanduese ushtarake të Iranit.
Fushata është projektuar për ta “zhveshur nga pushteti të gjithë udhëheqjen politike dhe strukturat që e mbështesin atë”, përfshirë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, dhe mund të vazhdojë “dy deri në tre javë, nëse është e nevojshme”, varësisht nga mënyra se si do të reagojë regjimi, shtoi ai.
Radio Evropa e Lirë: Gjeneral, së pari, cilat janë mendimet tuaja për këtë ditë jashtëzakonisht të ngarkuar (28 shkurt), përfshirë konfirmimin nga presidenti Trump se Khamenei është vrarë?
Gjenerali Keane: Mendoj se është një ditë historike me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse presidenti Trump dhe kryeministri [izraelit] Netanyahu kanë marrë vendimin që të mos lejojnë më regjimin iranian të vazhdojë destabilizimin e Lindjes së Mesme, të vazhdojë luftërat përmes forcave të ndërmjetme, të zhvillojë programin e raketave balistike dhe programin bërthamor.
Ata kanë vendosur ta drejtojnë regjimin iranian në një rrugë që çon drejt shembjes së tij dhe, në një moment të caktuar, rikthimit në një formë qeverisjeje demokratike. Ky është vendimi që është marrë dhe ai po pasqyrohet në këtë operacion ushtarak brilant që po zbatohet.
Pra, po ua ndalim iranianëve aftësinë për të imponuar vullnetin e tyre në rajon, së pari; dhe së dyti, po krijojmë kushtet që regjimi të shembet dhe, përfundimisht, populli i Iranit ta rimarrë vendin e vet.
Radio Evropa e Lirë: Gjeneral, cili është vlerësimi juaj për këtë operacion ushtarak, si ka shkuar dita e parë dhe çfarë pritet të ndodhë më pas?
Gjenerali Keane: Nga bisedat që kam pasur gjatë gjithë ditës me drejtues ushtarakë amerikanë dhe izraelitë, operacioni po i tejkalon pritjet e tyre në disa aspekte.
Së pari, në aspektin ofensiv, fakti që janë vrarë 40 drejtues, përfshirë ajatollahun, ishte brenda pritshmërive tona, por sinqerisht nuk e prisnim një nivel kaq të madh suksesi.
Mendoj se ajo që ndodhi – që publiku ta kuptojë – është kjo: Sot (më 28 shkurt) ishte ditë Ramazani, ishte gjithashtu e shtuna e Shabatit (për hebrenjtë). Po ashtu, gjatë ditës po zhvilloheshin takime. Regjimi ushtarak iranian është zakonisht në gatishmëri të lartë gjatë natës, duke besuar se izraelitët dhe amerikanët do t’i sulmonin natën. Operacioni ishte planifikuar fillimisht për më vonë më 28 shkurt, por u përshpejtua për shkak të mundësisë për të eliminuar këta drejtues. Kjo mundësi u shfrytëzua dhe rezultoi shumë e suksesshme.
Së dyti, kemi pasur sukses të konsiderueshëm kundër lëshuesve dhe sistemeve të raketave balistike të Iranit, si dhe kundër depozitave të raketave dhe dronëve, njëkohësisht duke u mbrojtur nga këto sulme.
Deri në momentin e këtij intervistimi, nuk ka pasur viktima amerikane, pavarësisht numrit të madh të sulmeve. Ka pasur disa viktima izraelite; sipas dijenisë sime, një person është vrarë dhe ka pasur disa të lënduar lehtë. Pra, sistemet mbrojtëse, në përgjithësi, po funksionojnë.
Operacioni po vazhdon. Është planifikuar të zgjasë dy deri në tre javë, nëse është e nevojshme. Shumëçka varet nga fakti nëse regjimi mbetet i qëndrueshëm apo fillon të shpërbëhet.
Nëse ata kapitullojnë dhe dorëzohen, duke qenë të gatshëm të dorëzojnë pushtetin, atëherë me gjasë do të arrihej një marrëveshje. Por, në mungesë të kësaj, ne do të vazhdojmë operacionin dhe do të ndjekim objektivat tona ushtarake.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë sfidash shihni përpara?
Gjenerali Keane: Mendoj se ekzistojnë dy sfida kryesore. E para është sfida mbrojtëse: mbrojtja e shumë bazave që Shtetet e Bashkuara kanë në rajon. Kjo është padyshim një sfidë e madhe. Siç e dini, të gjitha këto baza janë në afërsi të Iranit, veçanërisht në rrezen e dronëve që ata posedojnë.
Ushtria iraniane është shumë e aftë në prodhimin e dronëve. Që publiku ta kuptojë: dronët për të cilët dëgjojnë se përdoren në Rusi – dronët Shahed që sulmojnë çdo natë, qindra prej tyre – janë dronë iranianë të prodhuar në Rusi.
Këta janë dronët që po përdor Irani. Ne i quajmë “dronë vetëvrasës”, sepse nuk kthehen pas; janë sisteme armësh vetëflijuese, dhe po përdoren kundër bazave amerikane. Kjo është një sfidë. Por deri tani kemi arritur t’i përballojmë mirë. Edhe izraelitët janë të shqetësuar për aftësinë e Iranit për të kryer një sulm masiv me raketa balistike dhe për të mbingarkuar sistemet e tyre mbrojtëse. Deri më tani, Irani nuk ka arritur ta bëjë këtë.
Sfida e dytë është koha. Që publiku ta kuptojë, ne nuk e nënvlerësojmë mënyrën se si regjimi e mban pushtetin. Kemi plane të qëllimshme dhe metodike për ta zhveshur nga pushteti të gjithë udhëheqjen politike dhe strukturat që e mbështesin atë: parlamentin, agjencitë e ndryshme, Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Në anën ushtarake dhe të sigurisë, synimi është të çmontojmë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Nuk po flas vetëm për udhëheqësit, por për të gjithë infrastrukturën që e mbështet atë, për teknologjinë që e mbështet. Nuk bëhet fjalë vetëm për disa figura në krye – bëhet fjalë për të gjithë sistemin.
Milicia Basij, forcat e policisë, si dhe baza industriale e mbrojtjes – kompanitë prodhuese dhe kapacitetet industriale – të gjitha janë pjesë e këtij plani gjithëpërfshirës për të rrëzuar gjithçka që regjimi përdor për ta mbajtur veten në pushtet.
Kjo është padyshim një sfidë, por ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj saj. Kryeministri Netanyahu dhe presidenti Trump i kanë dhënë miratimin këtij plani, dhe ne jemi në fazat shumë të hershme të zbatimit të tij.
Radio Evropa e Lirë: Gjeneral, a mund të realizohet ky mision pa trupa në terren?
Gjenerali Keane: Po, sa i përket asaj që synojmë të arrijmë. Mendoj se njerëzit e ekzagjerojnë këtë çështje. Ideja se “dita pas” është e paqartë përdoret shpesh si argument. Kur vendosëm trupa në terren në Panama më 1989, në Haiti më 1994, në Afganistan më 2001 dhe në Irak më 2003, misioni ishte të ndryshonim regjimin, të ndryshonim rendin politik.
Dhe ne e bëmë këtë. Por gjithashtu u përballëm me vështirësi në të gjitha këto raste, përveç Haitit, ku rikthyem në pushtet (Jean-Bertrand) Aristide, i cili ishte rrëzuar. Në tre rastet e tjera, ende ka pasur sfida: kush do të jetë qeveria e re? Sa efektive do të jetë ajo? Çfarë lloj ndihme do të kërkojë nga ne? Çfarë do të bëjë regjimi i rrëzuar? A do të vazhdojë të na sulmojë?
Pra, vendosja e trupave në terren nuk i bën gjërat domosdoshmërisht më të lehta. Edhe aty ka sfida. Nuk po i minimizoj sfidat me të cilat përballemi tani pa trupa në terren. Por sipas vlerësimit tonë, ne mund t’i arrijmë objektivat tanë pa e marrë rrezikun shtesë që do të sillte një ndërhyrje e tillë, e cila do të nënkuptonte pushtimin e vendit. Dhe ne nuk duam ta bëjmë këtë.
Ne duam që populli iranian ta zotërojë vetë vendin e tij dhe ta qeverisë atë.
Që publiku ta kuptojë: zakonisht, kur regjimet autoritare rrëzohen, ato zëvendësohen nga një tjetër regjim autoritar – ndoshta më pak ideologjik, gjë që mund të ndodhë edhe këtu – ndoshta më nacionalist, por një regjim me të cilin do të mund të punohet dhe që mund të drejtohet drejt një procesi tranzicioni, drejt zgjedhjeve dhe demokracisë. Kjo nuk ndodh menjëherë. Nuk po ndodh menjëherë as në Venezuelë – megjithëse është një rast tjetër – por shërben si ilustrim i dobishëm.
Pra, po, nuk po i nënvlerësoj sfidat. Por nëse arrijmë të rrëzojmë udhëheqjen e këtij regjimi dhe t’ia presim aftësinë për ta mbajtur veten në pushtet – duke i dobësuar kapacitetet ushtarake dhe duke ia hequr kontrollin mbi popullin iranian – atëherë kemi arritur diçka të madhe. Do të jetë një proces dhe një tranzicion që do të marrë kohë. Por shikoni nga kemi ardhur dhe ku mund të shkojmë – sa e jashtëzakonshme do të jetë kjo për popullin iranian.
E di që ata po qëndrojnë të strehuar, por dyshoj se brenda tyre ka edhe ndjenjë gëzimi. Natyrisht, ata duan të sigurohen që të mos dëmtohen nga ajo që po ndodh nga ana e Izraelit dhe ushtrisë amerikane, dhe ne nuk kemi asnjë qëllim t’i dëmtojmë ata. Por në luftë, njerëzit bëjnë gabime – ashtu si edhe makineritë.
Prandaj njerëzit duhet të mbrohen dhe të qëndrojnë të strehuar. Kur kjo të përfundojë, ata do të ngrihen – dhe do të ngrihen me siguri. Jam plotësisht i bindur për këtë. Dhe do të jetë një moment i madh kur bota të dëshmojë ngritjen e popullit iranian, e mbështetur nga ajo që kanë bërë Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Dhe meritën duhet ta ketë edhe vetë populli iranian për qëndresën e tij, për faktin që doli në rrugë me qindra mijëra, edhe pse u plagosën dhe u vranë nga ky regjim i pamëshirshëm. Çfarë guximi kanë treguar. Dhe kur të dalin sërish në rrugë pas përfundimit të armiqësive, jam i bindur se do ta mbajnë në zemër mesazhin e atyre që dolën para tyre dhe u gjakosën për të njëjtat ideale. Liria për Iranin është ajo që duam – dhe jemi në rrugën drejt saj.
Radio Evropa e Lirë: Gjeneral, reflektimet tuaja personale – nëse ky është vërtet fundi i Republikës Islamike, pas 47 vjetësh. Ju i keni parë me sytë tuaj rreziqet që ka paraqitur ky regjim. Cilat janë mendimet tuaja personale tani? A ka ndonjë për të cilin po mendoni në veçanti?
Gjenerali Keane: Po, po mendoj për bashkëqytetarët e mi amerikanë dhe për bashkëluftëtarët e mi – ushtarët dhe marinsat – që janë vrarë nga ky regjim, duke filluar nga viti 1983, kur u hodhën në erë kazermat e marinsave dhe u vranë 241 marinsa dhe disa civilë; pastaj sulmi ndaj Ambasadës amerikane në Liban, ndaj Ambasadës në Kuvajt në vitin 1984; më pas Kullat Kobar, që ishin kazerma të forcave ajrore në Arabinë Saudite. Edhe aty u vramë dhe u plagosëm.
Më vonë, iranianët projektuan një lloj të avancuar mjeti shpërthyes të improvizuar (IED), që depërtonte në tanket tona dhe mjetet tona më të blinduara luftarake. Së paku 600 trupa amerikane u vranë nga këto sulme të synuara. Dhe realiteti është se komandanti ynë i fundit në terren – gjenerali Lloyd Austin, i cili më pas u bë Sekretar i Mbrojtjes nën presidentin Biden – kur e pyeta: “Sa mendon se është numri real?”, më tha: “Gjeneral Keane, mendoj se numri është më afër 2.000.”
Pra, ata kanë vrarë mijëra amerikanë. Dhe, natyrisht, kanë vrarë shumë më tepër – dhjetëra mijëra iranianë. Ndjej një lloj lehtësimi për amerikanët që sakrifikuan jetën dhe për familjet e tyre, si dhe për familjet iraniane që janë torturuar, vrarë dhe gjymtuar nga ky regjim, dhe po aq e rëndësishme, u është mohuar liria dhe mënyra e jetesës që çdo prind dëshiron për fëmijët dhe nipërit e mbesat e tij.
Ne jemi duke trokitur në derën e lirisë. Ende nuk kemi arritur aty, por jemi afër. Dhe një ndjenjë lehtësimi po afrohet bashkë me këtë moment.
Ndonjëherë, thjesht duhet të përdorësh forcë ushtarake për ta ndalur të keqen, për ta ndalur diçka që është e dëmshme. Kjo është ajo që e shtyn presidentin Trump. Ai e konsideron veten president të paqes – kjo është motoja e tij. Por ai nuk ka frikë të përdorë forcën për ta ndalur të keqen që të mos imponojë vullnetin e vet mbi të tjerët. Dhe kjo është ajo që po shohim të ndodhë tani.



