
Donald Trump ka komentuar vrasjen e Liderit Suprem të Iranit, Ali Khameneiduke theksuar se “Unë e godita atë përpara se ai të më sulmonte mua. Ata u përpoqën dy herë. Por unë e godita atë i pari.”
Presidenti i SHBA dukej se i referohej një numri përpjekjesh që raportet tregonin se ishin kryer nga inteligjenca iraniane për ta shënjestruar atë, e fundit prej të cilave ndodhi gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2024.
Kur u pyet se kë shihte si kandidat për të udhëhequr Iranin pas vdekjes së Khameneit, ai deklaroi se të gjithë ata që kishte marrë në konsideratë tashmë janë vrarë, duke shtuar se sulmi ishte mjaftueshëm i suksesshëm për të eliminuar shumicën e kandidatëve.
“Asnjë nga njerëzit për të cilët po mendonim nuk do të jetë atje sepse të gjithë vdiqën. Kandidati i vendit të dytë ose të tretë është gjithashtu i vdekur”, tha ai.
Më parë, Trump deklaroi se operacionet ushtarake kundër Iranit “do të vazhdojnë derisa të arrihen të gjitha objektivat”.
“Ne goditëm qindra objektiva, duke përfshirë objekte që i përkisnin Gardës Revolucionare, sisteme të mbrojtjes ajrore, 9 anije, përveç një baze detare. I bëj thirrje Gardës Revolucionare, ushtrisë iraniane dhe policisë që të ulin armët për të fituar imunitet ose të përballen me vdekje të sigurt”, shtoi lideri amerikan.
Trump konfirmoi vrasjen e 3 ushtarëve amerikanë në operacionet kundër Iranit, duke shtuar: “Ka të ngjarë që të ketë më shumë viktima midis amerikanëve”.
Ai u bëri thirrje iranianëve të “shfrytëzojnë këtë moment dhe të rimarrin vendin e tyre”, duke shtuar, “Shtetet e Bashkuara janë me ju”.



