
Gazetari thotë se rasti është raportuar në polici dhe thekson se sulmi ndaj tij është sulm ndaj fjalës së lirë.
Gazetari i Nacionales, Burim Pacolli, ka reaguar publikisht pasi u sulmua fizikisht gjatë ditës së sotme.
Pacolli bëri të ditur se sulmi ka ndodhur rreth orës 15:30 dhe se, sipas tij, është sulmuar nga reperi i njohur si Mossi, emri i vërtetë i të cilit është Gramos Krasniqi, i shoqëruar nga tre deri në katër persona të tjerë.
“Sot, rreth orës 15:30 jam sulmuar prej Mossit, i cili ka qenë në shoqërinë e 3-4 personave të tjerë. Rasti është raportuar në polici. Organet kompetente veprojnë sipas procedurave,” ka deklaruar Pacolli.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që i kanë shkruar me shqetësim pas ngjarjes.
Në reagimin e tij, Pacolli theksoi se sulmi ndaj një gazetari nuk është vetëm sulm ndaj individit, por ndaj lirisë së shprehjes dhe diskursit publik. “Kur sulmohet një gazetar, nuk është sulm veç ndaj individit, por ndaj idesë se dikush mund të flasë në transparencë absolute dhe në shërbim të diskursit publik,” u shpreh ai.



