
Deputetja e LDK-së thotë se LVV mban përgjegjësinë kryesore për zgjedhjen e presidentit dhe paralajmëron se zgjedhjet e reja do të ishin të kushtueshme.
Deputetja e Lidhjës Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha, mungesë serioziteti në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Sipas saj, Kurti ka zhvilluar dy takime me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, por pa paraqitur ndonjë propozim konkret apo emër për president. Bajrami i cilësoi këto si takime formale, pa rezultat konkret.
Ajo theksoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë ka 66 vota në Kuvend, mban përgjegjësinë kryesore për zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, LVV ka pasur dy alternativa: përfshirjen e një partie tjetër në qeveri për të siguruar votat e nevojshme ose propozimin e një figure apartiake të pranueshme për shumicën, por asnjëra prej tyre nuk është realizuar.
Bajrami paralajmëroi se zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje, pasi do ta linin vendin pa institucione funksionale për muaj të tërë dhe do të sillnin kosto të larta financiare.
Në fund, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të vlerësojnë, siç u shpreh, qasjen e Kurtit ndaj institucioneve dhe proceseve shtetërore.



