
Institucioni i presidentes paralajmëron organe kompetente për të trajtuar gjuhën e rrezikshme që nxit dhunë politike.
Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër pas përdorimit të gjuhës ku bëhet thirrje për “pushkatim” të Presidentes Vjosa Osmani në debat politik.
Në një komunikatë, Presidenca thekson se përdorimi i fjalës “pushkatim” nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por përbën një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike.
“Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët. Mentaliteti që prodhon gjuha e tillë ka penguar për dekada debatin publik me etiketime, shpifje dhe linçime”, thuhet në komunikatë.
Presidenca rikujton se Presidentja Osmani nuk është vegël e askujt dhe as pjesë e fantazive konspirative për “kinse tradhti”, por ushtron mandatin e saj legjitim mbi bazën e Kushtetutës.
Sipas Presidencës, ata që përdorin gjuhë si “pushkatim” ose përhapin shpifje dhe teori konspirative në fakt po bëjnë thirrje për dhunë dhe vrasje politike.
Institucioni i presidentes u bën thirrje organeve kompetente të rendit dhe drejtësisë që të merren urgjentisht me këto raste dhe t’i trajtojnë sipas ligjit.
“Thirrjet për ‘pushkatim’ nuk janë retorikë politike, por nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim. Kushdo që mendon se mund ta frikësojë Presidenten me shpifje apo kërcënime të tilla, thjesht po dëshmon se nuk e ka pranuar ende se jetojmë në Republikë demokratike”, përfundon komunikata.



