
Inspektori hetues i Autoritetit të Konkurrencës, Egzon Berisha, ka thënë se që kur ka filluar konflikti në Iran, çmimi i importit të naftës është rritur 35 centë për litër, shkruan Koha.
“Më datën 28 shkurt çmimi mesatar ka qenë 1 euro e 10 centë, ndërsa dje ka qenë 1 euro e 45 centë. Pra, është një diferencë prej 35 centësh në litër që ka ndikuar në rritjen e çmimit”, ka thënë Berisha në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai ka thënë se inspektimet po kryhen në baza ditore dhe ka thënë se në bazë të inspektimeve të gjitha ndërmarrjet po e respektojnë marzhën e fitimit, të vendosur nga Ministria e Industrisë dhe Ndërmarrësisë, prej 12 centë.
“Nëse e marrim ditën e djeshme, kur çmimi i importit ka qenë 1 euro e 45 cent me të gjitha taksat e importit të përfshira siç janë akciza dhe kostoja e shpërndarjes, sot në të gjitha pikat e shitjes ka mundur të jetë maksimumi 1.57 euro. Aktualisht në bazë të hetimit dhe vëzhgimit që po e zhvillojmë edhe në terren, të gjitha ndërmarrjet po e zbatojnë marzhën e fitimit të përcaktuar nga Ministria e Ndërmarrësisë. Siç e dini, në rast se nuk zbatohen pasojnë edhe masat e parapara në bazë të ligjit”, tha Berisha.
Nuk kemi informacion që ka ndodhur çmim i fryer dhe jemi vazhdimisht në kontakt me Doganën e Kosovës. Inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe në të gjithë Kosovën për të parë çmimet, stokun dhe të gjithë procesin”, tha Berisha.



