
Avdullah Hoti, deputet i LDK, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e kryeministrit Albin Kurti me BE-në rreth ligjit për të huajt.
Hoti ka kritikuar ashpër Kurtin për këtë marrëveshje.
Postimi i plotë:
Në fillim të mandatit në vitin 2021, Kurti e braktisi dialogun për njohje reciproke dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare ligjërisht të obligueshme. Në atë kohë ishte krijuar dakordim i përgjithshëm me aleatët se dialogu duhet të zhvillohej vetëm për marrëveshje përfundimtare, në të cilën do të adresoheshin të gjitha çështjet e mbetura në dialogun teknik duke marrë për bazë normat dhe standardet ndërkombëtare të normalizimit të bashkëpunimit ndërshtetëror. Në vazhdimësi, liderët evropianë dhe ata amerikanë e theksonin mbështetjen për një marrëveshje të tillë.
Tash, pas disa vitesh sanksionesh nga BE-ja dhe kritikash nga aleatët e tjerë, Kurti detyrohet të merret me normalizimin e funksionimit të strukturave paralele.
Kosova sigurisht se duhet të jetë e gatshme për dialog me fqinjin verior, gjithmonë me ndërmjetësimin e aleatëve. Por askush nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele. Nuk duhet të pranohet vendosja e një ‘status quo’-je.



