
Ukraina dëshiron para dhe teknologji në këmbim të ndihmës për vendet e Lindjes së Mesme në mbrojtjen kundër dronëve kamikazë iranianë, ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky, pasi Kievi dërgoi specialistë në katër vende të rajonit.
Zelensky u ka thënë gazetarëve se secili nga tre ekipet e dërguara në Lindjen e Mesme përbëhej nga dhjetëra persona, të cilët do të kryejnë vlerësime profesionale dhe do të demonstrojnë se si duhet të funksionojnë sistemet mbrojtëse kundër dronëve.
Vendet e Gjirit kanë shpenzuar sasi të mëdha raketash të mbrojtjes ajrore për të penguar dronët sulmues të Iranit dhe kanë kërkuar ekspertizën e Ukrainës për t’i rrëzuar ato. Ukraina rrëzon çdo natë dronë rusë duke përdorur një gamë armësh, përfshirë dronë më të vegjël dhe më të lirë ose pajisje për bllokimin e sinjaleve (jamming).
Zelensky ka thënë thënë se dhjetëra vende në mbarë botën kanë kërkuar ndihmën e Ukrainës për mënyrën se si të përballen me këto sulme.
Ai ka thënë më herët këtë javë se ekipe janë dërguar në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabi Saudite, ndërsa një zyrtar tjetër ka thënë se specialistë kanë qenë edhe në një bazë ushtarake të SHBA-së në Jordani.
“Kjo nuk ka të bëjë me përfshirje në operacione. Ne nuk jemi në luftë me Iran”, ka thënë Zelensky.
“Kjo ka të bëjë me mbrojtjen dhe me një vlerësim të plotë dhe të detajuar nga ana jonë për mënyrën se si të kundërshtohen dronët dronët Shahed”, ka thënë ai, duke iu referuar dronëve Shahed të zhvilluar nga Irani.



