
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja “do të largohet” nga Irani brenda “dy deri në tre javësh”, kur të jenë të sigurt se regjimi nuk mund të ndërtojë një armë bërthamore “për vite me radhë”.
Duke folur nga Zyra Ovale, Trumpi ka thënë se Irani po “lutet të bëjë një marrëveshje”, por nëse kjo ndodh apo jo është “e parëndësishme” për agjendën e Amerikës.
Më parë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se Teherani kishte “vullnetin e nevojshëm” për t’i dhënë fund luftës, me kusht që armiqtë e tij të garantonin se nuk do të shpërthente përsëri.
Edhe sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar se SHBA-ja po shkëmben mesazhe me Iranin dhe se fundi i luftës është afër.
“Po zhvillohen bisedime”, ka thënë ai për Fox News. “Ekziston mundësia për një takim të drejtpërdrejtë në një moment të caktuar. Ne gjithmonë do të jemi të hapur për këtë”, ka shtuar Rubio.
Por, ai ka thënë po ashtu se presidenti Trump nuk do të lejojë që “negociatat e rreme të përdoren si taktikë vonese, për të blerë më shumë kohë”.
Ndërkohë presidenti kinez, Xi Jinping, ka shtur përpjekjet për të nxitur një armëpushim.
Kina dhe Pakistani kanë paraqitur një plan me pesë pika për t’i dhënë fund luftës në Iran, i cili përfshin një armëpushim të menjëhershëm dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Iniciativa u hartua pasi ministri i jashtëm i Pakistanit fluturoi për në Pekin për të kërkuar mbështetjen kineze për përpjekjet e vendit për të negociuar përfundimin e luftës.
Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se të dy po bënin “përpjekje të reja drejt avokimit për paqe”.
E ministria e Shëndetësisë e Libanit ka thënë se të paktën shtatë persona janë vrarë nga sulmet izraelite, ndërsa IDF-ja thotë se ka goditur një komandant të Hezbollahut dhe një figurë tjetër të lartë në dy sulme në të gjithë Bejrutin.
Trumpi do të japë një “përditësim të rëndësishëm mbi Iranin” në një fjalim kombëtar të planifikuar për të mërkurën në mbrëmje.



