
Presidentja thotë se Kosova është më e fortë kur hap dyer jashtë.
Vjosa Osmani, e cila sot pritet ta dorëzojë detyrën e presidentes, ka organizuar një pritje me rastin e përfundimit të mandatit të saj.
Në një video të shpërndarë nga Osmani shihen të pranishëm shumë ambasadorë, politikanë, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe mediat. Megjithatë, në pamjet e publikuara nuk shihet ndonjë përfaqësues nga Qeveria e Kosovës apo nga Lëvizja Vetëvendosje.
Me këtë rast, Osmani tha se mandati i saj ka nisur dhe është zhvilluar në rrethana sfiduese, por se ka mbetur e përkushtuar ndaj forcimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Fillimi i këtij mandati erdhi në rrethana sfiduese, dhe rrugëtimi deri sot ka pasur po ashtu sfida nga më të ndryshmet. Besimi im ka qenë gjithmonë i qartë, një Kosovë që hap dyer jashtë është gjithnjë e më e fortë edhe brenda”, ka deklaruar Osmani.
Pjesë e këtij takimi të organizuar nga presidentja Osmani ishte edhe Gazeta Politika.



