Kurti pas takimit me Abdixhikun: Për presidentin duhen të paktën 84 ose 85 vota

Kryeministri thotë se synimi është shmangia e zgjedhjeve të reja dhe arritja e një marrëveshjeje me mbi 84 vota.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit, pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

banner

Kurti tha se qëllimi i përbashkët është shmangia e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se ato nuk do të sillnin zgjidhje për situatën aktuale politike.

“Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse zgjedhjet e reja nuk do të jenë zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Ndërkohë që ne nuk e kemi sfidë numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë, është sfidë tejet e madhe që një parti t’i ketë 81 deputetë dhe ta zgjedhë vetë presidentin”, tha Kurti para mediave.

Ai kujtoi se kandidatura e tyre për president tashmë është zyrtarizuar dhe se ekziston edhe kundërkandidatja Fatmire Mulhaxha-Kolçaku.

Sipas Kurtit, takime dhe biseda të tilla mund të çojnë drejt një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e kreut të shtetit. Megjithatë, ai theksoi se gjatë kësaj faze është e rëndësishme të ruhet konfidencialiteti i diskutimeve.

“Ne jemi udhëheqës të subjekteve demokratike dhe jemi transparentë për procesin. Do t’ju njoftojmë për takimet, por nuk do të flasim për emra konkretë derisa të arrihet marrëveshje”, u shpreh ai.

Kurti theksoi gjithashtu se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një shumicë më e gjerë në Kuvend.

“Vetëm një shumicë prej 84 ose 85 deputetësh do ta bënte komode zgjedhjen e presidentit. Synimi për 80 apo 81 vota në sallë është një rrezik tepër i madh”, tha Kurti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.