
Kryetari i Prishtinës thotë se projekti synon ta kthejë Gërminë në një hapësirë më të zhvilluar për sporte dimërore dhe rekreacion.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Komuna po punon për rikthimin e teleferikut në parkun e Gërmisë, duke e cilësuar këtë si një projekt që rikthen një pjesë të kujtesës së qytetit dhe hap mundësi të reja për rekreacion dhe sport.
Rama ka theksuar se Gërmia ka qenë gjithmonë më shumë se një park, duke e përshkruar atë si një hapësirë të përbashkët për qytetarët dhe një potencial të madh që deri më tani nuk është shfrytëzuar plotësisht.
Sipas tij, hapat konkretë për realizimin e projektit janë diskutuar në një takim të zgjeruar me përfaqësues të komunitetit sportiv, organizatave rekreative dhe institucioneve relevante.
“Rikthimi i ski-liftit nuk është thjesht një projekt, është rikthim i një ndjenje që shumëkush e mban mend, dhe një mundësi e re për brezat që vijnë”, ka shkruar Rama.
Ai ka shtuar se qëllimi është që Gërmia të zhvillohet edhe si pistë për skijim dhe aktivitete të tjera rekreative.
Rama theksoi gjithashtu se, duke qenë se Gërmia është zonë e mbrojtur, çdo hap do të ndërmerret me kujdes maksimal dhe në përputhje të plotë me standardet mjedisore dhe kornizën ligjore në fuqi.
Sipas tij, në koordinim me institucionet qendrore po punohet për qartësimin e procedurave dhe krijimin e bazës ligjore dhe teknike për realizimin e projektit, për të cilin ai tha se përfaqëson një zhvillim të madh për kryeqytetin.



