
Deputeti i Vetëvendosjes thotë se deklaratat e presidentes erdhën si rezultat i qëndrimit të fortë të Qeverisë në dialog dhe në shtrirjen e rendit në veri.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani të bëra në një intervistë në T7, duke komentuar raportin mes saj dhe kryeministrit Albin Kurti në lidhje me procesin e dialogut.
Rrustemi ka thënë se nëse dialogu nuk ka qenë dhe nuk është pika më e fortë e Kurtit, atëherë sipas tij lind pyetja pse presidentja ka ndjerë nevojën të pozicionohet si “gardiane” e mbrojtjes së miqësisë me aleatët.
“Nëse dialogu nuk ka qenë dhe nuk është pika më e fortë e Kurtit, atëherë pse pati nevojë presidentja të bëhej ‘gardiane’ e mbrojtjes së miqësisë me miqtë? Apo pse pati nevojë që ajo të thoshte se Kurti po luan bixhoz me aleancat?”, ka shkruar Rrustemi.
Sipas tij, këto deklarime kanë ardhur drejtpërdrejt si rezultat i qëndrimit të fortë të Qeverisë në dialog dhe të moskompromisit në shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit.
“Apo ndoshta vetë presidentja do të duhej të mendonte dy herë kur i tha këto fjalë”, ka shtuar deputeti i Vetëvendosjes.



