Buzhala, Kërquki, Panduri e të tjerë u shkruajnë ndërkombëtarëve për Gjykatën Speciale: Drejtësia nuk mund të jetë selektive

Një grup figurash publike të njohura në Kosovë e Shqipëri i kanë shkruar letër disa institucioneve ndërkombëtare rreth punës së Gjykatës Speciale, ku kanë ngritur “shqetësime serioze për mënyrën se si po zhvillohet procesi” në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Letra u është drejtuar institucioneve të ShBA-së dhe BE-së.

banner

Pjesë e letrës janë Berat Buzhala, Adriatik Kelmendi, Ermal Panduri, Lirim Mehmetaj, Leonard Kërquki, Blendi Fevziu e të tjerë.

Letra e plotë:

DREJTËSIA NUK MUND TË JETË SELEKTIVE

Drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Ne, një grup gazetarësh nga Kosova dhe rajoni, ngremë shqetësime serioze për mënyrën se si po zhvillohen proceset në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, veçanërisht në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Këto shqetësime nuk janë politike. Ato mbështeten në raportime të mediave të pavarura, reagime të shoqërisë civile, vlerësime institucionale dhe qëndrime të ekspertëve juridikë.

BE dhe SHBA jo vetëm që mbështetën krijimin e kësaj gjykate – ato garantuan se ajo do të përfaqësonte standardet më të larta të drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye, çdo devijim nga këto standarde është një test i drejtpërdrejtë i besueshmërisë së tyre.

Sot, ky test po vihet seriozisht në pikëpyetje.

– Ndërhyrjet e gjyqtarëve përtej rolit të arbitrit neutral

– Paraburgimi mbi pesë vite pa vendim përfundimtar

– Zvarritja e procesit përtej çdo standardi të “kohës së arsyeshme”

– Mungesa e transparencës përmes seancave të mbyllura

– Pranimi i provave pa verifikim të mjaftueshëm

– Vendime që devijojnë nga parime themelore evropiane si lex mitior

Këto nuk janë detaje procedurale. Këto janë çështje që prekin thelbin e drejtësisë.

Në këtë kontekst, kërkojmë përgjigje të qarta:

– Kush mban përgjegjësi për një paraburgim kaq të gjatë?

– Si garantohet paanshmëria e gjykimit?

– Pse transparenca është përjashtim dhe jo rregull?

– Çfarë ndodh nëse konstatohet shkelje e standardeve ndërkombëtare?

– Dhe mbi të gjitha: a po funksionon kjo gjykatë si mekanizëm drejtësie – apo si instrument me standarde të dyfishta?

Kosova ndryshoi Kushtetutën e saj nën presion ndërkombëtar, me besimin se drejtësia do të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë.

Sot, ky besim po lëkundet.

Këto pyetje nuk e dëmtojnë drejtësinë.

Heshtja po.

Nëse një gjykatë e ndërtuar në emër të vlerave evropiane humb besimin e publikut, ajo rrezikon të shndërrohet nga simbol i drejtësisë në simbol të selektivitetit.

Dhe kjo është një kosto që nuk mund ta përballojë askush.

1. Blendi Fevziu (Klan TV, Albania) 2. Adriatik Kelmendi (Klan Kosova, Kosovë) 3. Afërdita Saraqini – Kelmendi (RTV 21, Kosovë) 4. Lirim Mehmetaj (VOX Kosova, Kosovë) 5. Berat Buzhala (Nacionale, Kosovë) 6. Ermal Panduri (RTV Dukagjini, Kosovë) 7. Sidorela Gjoni (Top Channel, Albania) 8. Leonard Kerquki (T7 & Gazeta Express, Kosovë) 9. Alban Dudushi (RTSH, Albania) 10. Kushtrim Sadiku (Kanal 10, Kosovë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.