
Pas deklaratës së zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se në takimin e dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel ka ngritur çështjen e shpërndarjes së mjeteve për fermerët e Luginës së Preshevës, por që pala serbe ndërpreu diskutimin, ka reaguar deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në këtë takim, Serbia ishte përfaqësuar nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, së bashku me emisarin e Bashkimit Europian për Dialog, Peter Sorensen.
Sipas Kamberit, Petkoviq refuzoi të fliste për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe e braktisi takimin.
“Tendenca e Serbisë për t’u angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të serbëve në rajon, kur njëkohësisht kufizon të drejtat e pakicave kombëtare në territorin e saj, nuk mund të karakterizohet ndryshe veçse si shprehje e një standardi të dyfishtë politik dhe juridik në mbrojtjen e pakicave”, shkroi Kamberi në Facebook.
Ai theksoi se Serbia, brenda kufijve të saj, mohon të drejtat e pakicave kombëtare, veçanërisht të shqiptarëve, duke penguar edhe ndihmat që synojnë zhvillimin e rajonit.
“Sanksionimi juridik kur përdoren simbolet kombëtare, përfaqësimi i pamjaftueshëm në sistemin e drejtësisë, polici e institucione publike, si dhe diskriminimi sistematik tregojnë se ekziston një asimetri midis politikës së jashtme të Serbisë dhe politikës së saj të brendshme ndaj pakicave”, shtoi ai.
Deputeti shqiptar e konsideron këtë qasje të Serbisë si një formë të nacionalizmit të instrumentalizuar, ku të drejtat e pakicave shfrytëzohen për qëllime politike.
“Jashtë Serbisë, për afirmimin e rolit të Serbisë si mbrojtëse e serbëve në rajon, por që në fakt përdoret për destabilizimin e këtyre shteteve; brenda Serbisë, për homogjenizimin e kombit shumicë dhe ndërtimin e hegjemonisë së tij ndaj të tjerëve, por edhe si mjet për ruajtjen e kontrollit politik,” vazhdoi Kamberi.



