Komuna e Prishtinës barazon berberët me bankat sa u përket taksave

Sipas raportimit të KOHËS, Komuna e Prishtinës ka vendosur në konsultim publik një draftrregullore të re për tarifat komunale ndaj bizneseve, ku parashihen taksa vjetore nga 300 deri në 3 mijë euro për 41 kategori ekonomike.

Sipas propozimit, sallonet e flokëve dhe trajtimet e bukurisë do të paguajnë nga 1 mijë euro taksë vjetore, njësoj si bankat.

banner

Në mesin e aktiviteteve që do t’u nënshtrohen tarifave janë edhe ndërtimtaria, tregtia, arsimi privat, shëndetësia private, transporti dhe shërbimet profesionale.

Taksa më e lartë prej 3 mijë eurosh është paraparë për spitalet private dhe aktivitetet e specializuara private.

Ndërkaq, ordinancat dentare dhe qendrat e thirrjeve pritet të paguajnë nga 2 mijë euro në vit.

Sipas draftrregullores, avokatët dhe noterët do të tarifohen me nga 1 mijë euro, ndërsa përmbaruesit me 700 euro.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, tha se dokumenti ende nuk është final dhe mund të ndryshojë pas konsultimeve publike.

“Kjo është në diskutim publik. Nuk është se janë vendosur ato çmime”, deklaroi Braha.

Ai shtoi se konsultimet publike janë të hapura deri më 24 qershor.

KOHA ka raportuar po ashtu se Komuna ka propozuar edhe taksë prej 10 eurosh për qytetarët jo-rezidentë që hyjnë me automjet në qendër të Prishtinës, si dhe 1 euro për ata që kalojnë natën në kryeqytet.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.