Abdixhiku: LDK-ja dhe VV-ja propozojnë bashkë Bekim Sejdiun për President të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se pas përfundimit të negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje, dy partitë janë pajtuar që ta propozojnë bashkërisht profesor Dr. Bekim Sejdiun për President të Republikës së Kosovës.

“Sot, po i japim Republikës tonë një zgjidhje të mbarë, të përgjegjshme dhe dinjitoze”, ka shkruar Abdixhiku.

banner

Ai ka bërë të ditur se emri i Sejdiut është propozuar nga të dyja palët në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

“Pas përfundimit të negociatave të gjata, jam i lumtur të njoftoj se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta propozojnë bashkërisht profesor Dr. Bekim Sejdiun kandidat për President të Republikës së Kosovës.

Ky është, para së gjithash, një lajm i mirë për Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, marrëveshja vjen pas muajsh pasigurie politike dhe institucionale, ndërsa qëllimi ka qenë vendosja e interesit të shtetit mbi interesat partiake.

“Vendi ynë ka kaluar muaj të tërë në pasiguri politike dhe institucionale. Institucionet kanë mbetur të bllokuara, kohë e çmuar është humbur gjersa qytetarët, me të drejtë, kanë pritur nga ne që ta vendosim interesin e shtetit mbi llogaritë partiake.

Pikërisht këtë kemi bërë”, ka thënë ai.

Abdixhiku e ka përshkruar Sejdiun si jurist të shquar, diplomat me përvojë dhe ish-gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Bekim Sejdiu e do Republikën, beson në Kushtetutën e saj dhe në orientimin tonë të palëkundur euroatlantik; në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se nga Sejdiu presin të jetë president i të gjithë qytetarëve dhe jo përfaqësues i dy partive që po e propozojnë.

“Prej tij presim të jetë President i Republikës dhe i të gjithë qytetarëve, jo përfaqësues i dy partive apo i një shumice të përkohshme. Presim ta mbrojë rendin kushtetues, ta ruajë unitetin e vendit dhe të veprojë me pavarësi, urtësi dhe përgjegjësi në çdo rrethanë”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja do ta mbështesë marrëveshjen me bindjen se shteti është mbi çdo interes partiak.

“Sot, përgjigja jonë ndaj jostabilitetit, kaosit e dyshimeve, është një Republikë me President dinjitoz; e me një LDK, që qëndron në origjinë – rugoviste e institucionaliste. Ajo jep individë me integritet; edhe kur nuk merr asgjë në kthim për veten. Sepse e don shtetin më shumë se sa veten”, ka përfunduar Abdixhiku.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.