Pacolli mohon raportimet: Janë të pasakta, MABCO ka investuar mbi 95 milionë euro në Aeroportin e Vlorës

Kryetari i AKR-së dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj raportimeve se Prokuroria e Tiranës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, ka kërkuar informacione nga autoritetet në Kosovë lidhur me destinimin e një huaje të marrë nga kompania MABCO për projektin e Aeroportit të Vlorës.

Pacolli ka mohuar pretendimet se në Shqipëri kanë hyrë vetëm 15 milionë euro nga ky financim, duke theksuar se investimet e MABCO-s në projekt kapin vlerën e mbi 95 milionë eurove.

banner

“Jo 15 milionë, as 43 milionë, por mbi rreth 95 milionë euro janë investuar nga MABCO në projektin e Vlorës dhe këtë e kemi të audituar dhe konfirmuar nga auditorë të huaj”, ka deklaruar Pacolli.

Ai ka shtuar se kompania ka qenë e gatshme të dorëzojë çdo dokumentacion financiar dhe ka kërkuar vetë auditim e verifikim nga institucionet përkatëse.

Pacolli ka shprehur shqetësim edhe për atë që e ka quajtur “sulm dhe intimidim” ndaj kompanisë pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë të 26 majit 2026.

“Nuk kemi asnjë problem që çdo organ kompetent të hetojë dhe verifikojë çdo lëvizje. MABCO nuk është kompani guackë, por një shoqëri me financa të audituara dhe të verifikuara”, ka theksuar ai.

Në fund të reagimit, Pacolli ka lëshuar akuza edhe ndaj ish-drejtuesve të projektit, duke përmendur me emër Valon Ademin dhe Valon Llukën.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.