
Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti se po zhvillojnë një fushatë kundër Drenicës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën ai e lidh me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në një postim në Facebook, Behrami ka thënë se kjo fushatë ka dy qëllime kryesore.
“Fushata më e re e VV-së dhe Kurtit kundër Drenicës dhe UÇK-së i ka dy qëllime”, ka shkruar ai.
Sipas Behramit, qëllimi i parë është përgatitja e opinionit publik në rast të një vendimi dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Nëse krerët e UÇK-së dënohen, të krijohet shtrati i pranimit të verdiktit, që të shuhet çdo reagim qytetar”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, sipas tij, qëllimi i dytë është pengimi i rikthimit politik të tyre në rast të një vendimi lirues.
“Nëse krerët e UÇK-së lirohen, të krijohet një ambient toksik që e bën rikthimin e tyre politik të pamundur”, ka shkruar Behrami.
Ai ka vlerësuar se përpjekje të tilla për përçarjen e shqiptarëve kanë dështuar në të kaluarën dhe do të dështojnë edhe tani.



