
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se çështja e projektit amerikan të gazit është diskutuar me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komentet e saj vijnë një ditë pasi ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se nuk e kishte parë thirrjen e Ambasadës amerikane që Kosova t’i bashkohet projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) në Ballkanin Perëndimor.
“Ne kemi diskutime jo vetëm rreth gazit, por edhe rreth shumë temave të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me SHBA-në. Gjatë pesë viteve të fundit kemi treguar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet se jo vetëm që diskutojmë, por edhe marrim vendime bazuar në interesin e Kosovës”, ka deklaruar Gërvalla.
Megjithatë, ajo nuk ka treguar nëse Qeveria në detyrë planifikon ta mbështesë apo refuzojë projektin e gazit amerikan.
Javët e fundit, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka bërë thirrje publike që Kosova të bëhet pjesë e projektit amerikan të LNG-së, por deri më tani nuk ka pasur një qëndrim zyrtar nga ekzekutivi për këtë çështje.



