
Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Haxhiu ka thënë se kërkesa e tij nuk bazohet në pakënaqësi me rezultatin, por në gjetjet e procesit të deritanishëm të rinumërimit.

Sipas tij, rinumërimi i 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52 për qind të votave të PDK-së, ka dëshmuar se ka pasur gabime në numërimin fillestar.
“Edhe në këtë mostër të kufizuar, më janë shtuar 6 vota që nuk ishin numëruar më parë. Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi”, ka shkruar Haxhiu.
Ai ka kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në procesin e deritanishëm, duke theksuar se vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që rezultati përfundimtar pasqyron saktë vullnetin e qytetarëve.
Haxhiu ka shtuar se integriteti i procesit zgjedhor është më i rëndësishëm se shpejtësia e shpalljes së rezultateve.



