
Gazetarja Dijana Toska ka publikuar një reflektim të gjatë me titull “Pensionimi i një brezi pa letra”, ku ngre shqetësimin për vështirësitë me të cilat, sipas saj, po përballet një brez i tërë qytetarësh në dëshmimin e viteve të punës për përfitimin e pensionit.
Ajo thotë se brezi i saj punoi në rrethana të jashtëzakonshme, gjatë viteve të represionit dhe luftës, kur shumë angazhime nuk regjistroheshin me kontrata apo dokumente zyrtare.
“Si ta dokumentosh veten me letra kur brezi ynë punoi në kohë kur historia nuk jepte kontrata? Jepte vendime për largim nga puna”, shkruan Toska.
Sipas saj, shumë njerëz të asaj periudhe kontribuan në gazetari, humanizëm dhe kauzën kombëtare pa pasur sigurime pensionale apo dokumentacion administrativ.
“Brezi ynë ndoshta nuk figuron si kontribut-pagues në arkivat e shtetit, por ishte kontribut-dhënës në çdo aspekt të jetës shoqërore dhe kombëtare”, thekson ajo.
Toska kritikon faktin se sot sistemi vlerëson vetëm dokumentacionin administrativ, ndërsa, sipas saj, sakrifica dhe kontributi i asaj kohe mbeten të paregjistruara.
“Sot në dosjet e shtetit sakrifica e tyre trajtohet si barrë sociale. Por brezi ynë vazhdon të jetojë me madhështi morale”, shkruan ajo.
Në fund të reagimit, gazetarja ironizon shumën e pensionit që ka përfituar.
“Pensioni erdhi. Fjala nuk del në pension. Me shnet i gzofsha 150 euro!”, përfundon Toska.
Postimi i sa i plotë:
Pensionimi i një brezi pa letra
Drama administrative e një brezi historik
Një jetë të tërë pune, terreni, raportimesh, udhëtimesh, frike, përgjegjësie dhe përballjesh me kohën, nuk mbante vulën që kërkon sot sistemi.
Unë mund ta dëshmoj punën time me mijëra faqe, kronika, raportime, mirënjohje dhe kujtime që mbajnë vulën e besimit publik.
P or jo edhe atë vulë administrative që kërkohet sot për të vërtetuar se ke ekzistuar si punëtor.
Ishte një moment i çuditshëm ballafaqimi me jetën time.
Si ta dokumentosh veten me letra kur brezi ynë punoi në kohë kur historia nuk jepte kontrata?
Jepte vendime për largim nga puna. Pastaj provokonte, të ftonte të punosh nën masa represive si dëshmi se ka edhe shqiptar të ndershëm që punojnë për sistemin.
Sot shteti kërkon kontribute të paguara.
Dhe unë pyes veten: kujt duhej t’ia paguanim ato kontribute?
Atij polici që të ndalte në postbllok e të rrihte?
Atij sistemi që të përjashtonte nga puna dhe të trajtonte si armik?
Apo atij shteti që ende nuk ekzistonte, ndërsa ne luftonim që një ditë të bëhej?
Në ato vite nuk shpërndaheshin kontrata pune.
Shpërndahej frika.
Dhe bashkë me të, përgjegjësia për të dëshmuar kohën.
Punonim me emra të pashkruar në sistem.
Me pagesa që vinin nga raportet e ditës.
Me makina që ndaleshin në postblloqe.
Me zëra që transmetonin luftën, ndërsa vetë nuk dinin nëse do ta kalonin natën të gjallë.
Puna vullnetare për kauza më të mëdha se interesi personal nuk regjistrohej askund.
As puna humanitare para e gjatë luftës.
As raportimi profesional pa pagesë…
As idealizmi.
Kam mirënjohje, kartela identifikimi, dokumente dhe kujtime.
Kam dëshmi se kam qenë aty.
Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi më i dhimbshëm:
brezi që sot ka më pak dëshmi administrative, është shpesh brezi që ka dhënë më shumë kontribut.
Ka dallim mes kontribut-paguesit dhe kontribut-dhënësit.
Brezi ynë ndoshta nuk figuron si kontribut-pagues në arkivat e shtetit, por ishte kontribut-dhënës në çdo aspekt të jetës shoqërore dhe kombëtare.
Ky është brezi që punoi në “zonën gri” të historisë:
me idealizëm, pa mbrojtje, pa siguri, pa llogari pensionale, por me rrezik real.
Një brez që kalonte kufij lufte me bllok në dorë.
Që bartte ilaçe për të sëmurët.
Që ndalohej, kontrollohej, rrihej e maltretohej për të gjetur ndonjë dokument apo informacion.
Dhe askush nuk mendonte atëherë për sigurim pensional.
Mjaftonte të mbijetoje ditën.
Sot, kur sistemi kërkon vetëm letra, duket sikur dëshmitë morale të një jete nuk kanë më peshë.
Sikur puna, rreziku dhe humanizmi të mos vlejnë pa një vulë administrative.
Dhe njeriu mbetet i hutuar para një pyetjeje të thjeshtë:
A thua kur filluam ta peshojmë besimin me letra?
Atëherë kur liria na erdhi me vula administrative e formular?
Apo erdhi nga njerëz që punuan pa siguri, pa mbrojtje dhe pa emër në sistem?
Erdhi nga ata që kaluan kufijtë e luftës me bllok në dorë, nga ata që bartnin ilaçe për të sëmurët,
nga ata që raportonin nën frikë, dhe nga ata që besonin te shteti shumë kohë para se shteti të besonte te ata.
Liria erdhi nga kontribut-dhënësit.
Erdhi nga njerëz që rrezikuan jetën në kohë kur shteti ende nuk kishte formularë dhe nuk dinte si të regjistronte sakrificën.
Sot në dosjet e shtetit sakrifica e tyre trajtohet si barrë sociale.
Por brezi ynë vazhdon të jetojë me madhështi morale.
Nuk kërkon keqardhje që mbijeton.
Sepse ka jetuar një jetë që nuk matet me tabelat e pensioneve.
Dhe ndoshta shteti ka të drejtë kur kërkon dokumente.
Por edhe historia ka të drejtë të mos harrojë se ka pasur kohë kur njerëzit punonin për të mbijetuar një popull dhe mbajtur gjallë fjalën dhe vetë idenë për bërjen e një shteti etik.
Prandaj është e dhimbshme kur mbi dokumentet e zverdhura të brezit tonë, sot bie pluhuri i harresës.
Një harresë që rëndon më shumë mbi supet e njerëzve në moshë sesa vetë varfëria.
Dhe ndoshta varfëria nuk është pjesa më e rëndë.
Më e rëndë është kur një shtet i thotë një brezi të tërë:
gjithë jeta juaj e punës vlen aq sa të mbijetoni, por jo aq sa të jetoni me dinjitet.
Brezi ynë nuk mori kontrata.
Mori vetëm mirënjohje plebishitare nga populli.
Dhe ndonjëherë, kur mbetesh vetëm përballë sportelit të pensionit, e kupton sa e rëndë është diferenca mes historisë së jetuar dhe historisë së regjistruar në letra.
Pensioni erdhi. Fjala nuk del në pension.
Me shnet i gzofsha 150 euro!



