
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova do të përfitojë gjithsej 206.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, më 7 korrik, Bashkimi Evropian e ka njoftuar zyrtarisht Kosovën se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë eurosh.

Kurti bëri të ditur se fondet do të investohen në mjedis dhe klimë, energji, menaxhim të kufijve dhe migrimit, konkurrueshmëri, arsim e punësim, qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit.
Ai shtoi se rreth gjysma e mjeteve do të shkojnë për investime infrastrukturore, ndërsa shumica e projekteve do të realizohen me partnerë zhvillimorë dhe bashkëfinancim nga institucionet e Kosovës.
Përveç kësaj, sipas Kurtit, janë miratuar edhe tre grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) në vlerë prej 25.9 milionë eurosh, të destinuara për Hidrosistemin Ibër-Lepenc, autostradën Qafë e Duhlës–Banullë dhe impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.
“Falënderojmë Bashkimin Evropian për mbështetjen. Këto mjete do të shfrytëzohen në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit”, ka shkruar Kurti.



