
Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se, duke filluar nga dita e premte, 10 korrik, kanë filluar të paraqiten pacientë me simptoma që dyshohet se lidhen me helmim nga ushqimi.
Sipas njoftimit, pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore me ankesa për ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diarre. Bazuar në anamnezën e marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.

“Nga data 10.07.2026 deri më 13.07.2026, në Klinikën Infektive ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 70 pacientë. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.
Klinika bën të ditur se të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse, në përputhje me procedurat në fuqi.
Pacientët e shtrirë po mbahen nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.
“Aktualisht, gjendja klinike e pacientëve vazhdon të kërkojë trajtim dhe monitorim të vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.



