
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka nisur përgatitjet për hapjen e një konkursi për pranimin e prokurorëve të rinj nga komuniteti serb, pas dekretimit të lirimit nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Lajmi është konfirmuar nga KPK për Radion Evropa e Lirë, duke bërë të ditur se konkursi do të jetë i hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore.

Sipas KPK-së, në konkurs do të mund të aplikojnë edhe ish-prokurorët serbë, të cilëve më herët u ishte refuzuar kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në detyrë.
Zhvillimi vjen pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, me propozim të KPK-së.
Ky vendim ka nxitur reagime nga Bashkimi Evropian dhe disa shtete partnere të Kosovës, të cilat kanë shprehur shqetësim lidhur me mënyrën e trajtimit të procesit dhe kanë bërë thirrje për respektimin e sundimit të ligjit dhe riintegrimin e personelit gjyqësor serb në përputhje me marrëveshjet dhe legjislacionin në fuqi.



