
Drejtori në Komunën e Prizrenit dhe ish-këshilltari i Kadri Veselit, Levent Bush, ka mohuar kategorikisht pretendimet se vëllai i tij është personi që shihet në një video të publikuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ku koleksionuesi i videove dhe fotografive të luftës, Esat Shala, pretendoi se një person me mbiemrin Bush kishte qenë pjesë e një grupi paramilitar serb përgjegjës për masakra gjatë luftës në Kosovë.
Në një deklaratë për Gazetën Politika, Bush tha se pretendimet janë tërësisht të pavërteta dhe të pambështetura në asnjë provë.

“Personi në video që shihet në atë emision absolutisht nuk është vëllai im. Këto pretendime janë të pabazuara në asnjë fakt, por vetëm trillime nga personi në fjalë, i cili flet me hamendje dhe shpif”, deklaroi Bush.
Ai bëri të ditur se vëllai i tij i ka mohuar kategorikisht akuzat dhe tashmë i është drejtuar organeve të drejtësisë.
“Vëllai im deklaron se këto pretendime dhe kallëzime janë të rreme. Ai i konsideron ato cenim të nderit, reputacionit dhe personalitetit të tij. Për mbrojtjen e të drejtave të garantuara me ligj, ai ka paraqitur kallëzim penal për kallëzim të rremë dhe ka kërkuar që autoritetet kompetente ta hetojnë rastin dhe ta nxjerrin të vërtetën”, tha Bush.
Ai shtoi se, përderisa çështja ndodhet në procedurë pranë organeve kompetente, familja nuk do të japë komente të mëtejshme mbi pretendimet.
Bush u bëri thirrje gjithashtu mediave që të raportojnë në mënyrë profesionale dhe të verifikuar.
“Respektojmë lirinë e medias dhe të drejtën për informim, por kërkojmë që raportimi të jetë i balancuar, i verifikuar dhe në përputhje me standardet profesionale e etike të gazetarisë, duke shmangur publikimin e pretendimeve të pakonfirmuara që mund të cenojnë të drejtat themelore të individit dhe familjes sonë.”
Reagimi i tij vjen pas raportimeve të publikuara gjatë së premtes se një shtetas turk ishte arrestuar nën dyshimet për përfshirje në krime lufte në zonën e Krushës dhe rrethinës së Prizrenit. Madje, Klankosova.tv, duke iu referuar burimeve, raportoi se bëhej fjalë për Shahin Bush.
Megjithatë, më vonë Policia e Kosovës e mohoi se kishte pasur arrestim.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, deklaroi se personi në fjalë ishte paraqitur vullnetarisht në stacionin policor si ankues dhe, pas intervistimit, ishte liruar.
“Jo, nuk është arrestuar. Ai është lajmëruar vullnetarisht në stacionin policor të Prizrenit si ankues. Me urdhër të prokurorit, deklarata është dërguar në Prokurorinë Speciale për shqyrtim të mëtejshëm. Ai është intervistuar si ankues dhe është liruar”, tha Bytyqi për Klankosova.tv.
Zhvillimet i konfirmoi edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, i cili sqaroi se pretendimet për krime lufte nuk janë në kompetencën e Prokurorisë Themelore.
“Pretendimet për krime lufte nuk janë kompetencë e Prokurorisë Themelore të Prizrenit. Lidhur me pretendimet që janë bërë të njohura për publikun, e kam njoftuar Departamentin për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili tashmë është duke u marrë me këtë çështje”, deklaroi Kryeziu.
Në deklaratën e tij për Gazetën Politika, Levent Bush rithekson se vëllai i tij nuk është personi që shihet në videon e publikuar dhe se pret që organet kompetente të sqarojnë plotësisht rastin, ndërsa përgjegjësit për pretendimet që i konsideron të rreme të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Përgjigja e plotë e Levent Bush:
Lidhur me pretendimet e publikuara së fundmi në emisionin Klan Kosova, të cilat lidhin një person me mbiemrin Bush me ngjarje të luftës në Kosovë, theksojmë se këto pretendime janë të pa bazuara në asnjë fakt po vetëm trillime nga personi në fjalë i cili flet me hamendje dhe shpif, sepse personi ne video që shihet në atë emision apsolutisht nuk eshtë vëllau im.
Pra lidhur me këtë pretendim dhe kallëzin të rrem i cili është publikuar në emisionin në fjal në tv Klan Kosova nga personi i apostrofuar nga ju, i njëjti po bën kallxim të rreme për keto pretendimete, pa asnjë provë dhe fakt të cilat e mbështesin deklarimet e tij të rreme në emision!
Duke marrur parasysh se ju, si gazetar që po më drejtoheni me pyeyjet e juaja, ju njoftoje se, personi i përmendur gjegjësisht vëllau im deklaronë se këto pretendime dhe kallëzime janë të rreme!
Gjithashtu konsideron këto pretendime të pavërteta, të pabazuara dhe cenim të nderit, reputacionit dhe personalitetit të tij.
Për mbrojtjen e të drejtave të garantuara me ligj, ai i është drejtuar organeve kompetente, duke paraqitur kallëzim penal për kallëzim të rrem dhe duke kërkuar që përgjegjësia ligjore të hetojne këtë rast dhe të mxerin të vërtetën.
Për sa kohë që çështja është në procedurë pranë autoriteteve kompetente, nuk do të bëhen komente të mëtejshme mbi pretendime apo aludime të pabazuara.
Respektojmë lirinë e medias dhe të drejtën për informim, por njëkohësisht kërkojmë që raportimi të jetë i balancuar, i verifikuar dhe në përputhje me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë, duke shmangur publikimin e pretendimeve të pakonfirmuara dhe në kallëzime te rreme, shpifje me qëllim të njollosjes që mund të cenojnë të drejtat themelore të individit ne fjalë – vëllaut tim dhe cenim e nderit, reputacionit dhe personalitetit të tij dhe të familjes sonë!



