
Ylli i futbollit Cristiano Ronaldo është martuar me partneren e tij prej shumë vitesh, modelen dhe influencuesen Georgina Rodríguez, në një ceremoni civile në Portugali, raporton BBC.
Sulmuesi portugez ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram një fotografi ku shihen dy duar, që besohet të jenë e tij dhe e bashkëshortes, të dy me unaza martese.

Mediat portugeze, të cilat e kanë cilësuar ngjarjen si “dasma e vitit”, raportojnë se çifti ka kurorëzuar martesën më 11 gusht në qytetin bregdetar Cascais, pranë Lisbonës. Në ceremoni raportohet se kanë qenë të pranishëm edhe pesë fëmijët e tyre.
Postimi i Ronaldos në Instagram mori më shumë se tre milionë pëlqime brenda vetëm 30 minutash nga publikimi.

Ronaldo dhe Rodríguez janë së bashku prej 10 vjetësh. Ata u njohën në një dyqan të Gucci-t në Madrid, ku Rodríguez punonte në atë kohë, ndërsa Ronaldo luante për Real Madridin.
Më herët, Rodríguez kishte publikuar një fotografi të një unaze të madhe, të shoqëruar me fjalët në spanjisht: “Po. Në këtë dhe në të gjitha jetët e mia”.
Cristiano Ronaldo ka shënuar afro 1 mijë gola gjatë karrierës së tij, në të cilën ka luajtur për Sportingun e Lisbonës, Manchester Unitedin, Real Madridin, Juventusin dhe Al Nassr në Arabinë Saudite, si dhe për kombëtaren e Portugalisë.
Së fundmi, ai luajti në Kampionatin e tij të gjashtë Botëror, rekord për paraqitje në turneun final të meshkujve që e ndan me argjentinasin Lionel Messi.



