Enver Robelli: Bekim Sejdiu do t’i bënte nder Kosovës si President i Republikës

Publicisti Enver Robelli ka reaguar ndaj raportimeve se VV-ja dhe LDK-ja mund të jenë afruar rreth emrit të profesor Bekim Sejdiu si kandidat konsensual për President të Kosovës.

Robelli e ka cilësuar këtë si një zhvillim shumë pozitiv, duke thënë se Sejdiu do ta përfaqësonte Kosovën në mënyrë dinjitoze dhe se ka përgatitjen profesionale dhe përvojën e nevojshme institucionale.

banner

“Prof. dr. Bekim Sejdiu i bën nder Kosovës si President i Republikës”, ka shkruar Robelli.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit është një çështje që natyrshëm tërheq vëmendjen e publikut, pasi bëhet fjalë për personin që e përfaqëson shtetin në nivelet më të larta për pesë vjet.

“Bekim Sejdiu do ta përfaqësonte Kosovën në mënyrë dinjitoze. Për këtë ai është jo vetëm i përgatitur mirë profesionalisht, por ka edhe një përvojë të gjatë e të respektueshme si shërbëtor lojal i institucioneve të Kosovës”, ka shkruar ai.

Robelli ka rikujtuar formimin akademik të Sejdiut, përvojën e tij si profesor universitar, gjykatës i Gjykatës Kushtetuese dhe diplomat.

Ai ka veçuar edhe qëndrimin e Sejdiut ndaj Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në vitin 2015, kur kishte dalë me mendim mospajtues dhe e kishte cilësuar atë si etnocentrik dhe të papajtueshëm me rendin kushtetues të Kosovës.

Robelli ka përmendur gjithashtu përvojën e Sejdiut si ambasador i Kosovës në Ankara dhe si konsull i përgjithshëm në New York.

“Me natyrën e tij përbashkuese, me prirjen për të ndërtuar ura në mbrojtje të interesit publik dhe shtetëror, si dhe me kureshtjen e tij intelektuale, Bekim Sejdiu do ta avanconte nivelin e përfaqësimit të Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Robelli.

Në fund, ai ka thënë se deputetët e të gjitha partive do t’i bënin shërbim shtetit nëse do ta zgjidhnin Sejdiun president.

“Deputetet dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të të gjitha partive do t’i bënin një shërbim shtetit me zgjedhjen e tij në postin e Presidentit”, ka përfunduar Robelli.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.