Bob Dole i shkruante Clintonit në gusht 1998: Një Bosnje e dytë po ndodh në Kosovë – koha për veprim është tani

Më 5 gusht 1998, senatori amerikan Bob Dole i kishte dërguar një letër presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, duke kërkuar veprim të menjëhershëm të SHBA-së dhe NATO-s për ndaljen e dhunës së forcave serbe në Kosovë.

Në letrën drejtuar Shtëpisë së Bardhë, Dole paralajmëronte se Kosova ishte në prag të një katastrofe humanitare dhe të një lufte me pasoja rajonale.

banner

Ai i kujtonte Clintonit edhe takimin që presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte zhvilluar me presidentin amerikan dhe premtimin që, sipas tij, Clinton i kishte dhënë Rugovës se nuk do të lejonte përsëritjen e Bosnjës në Kosovë.

“I nderuari William J. Clinton, në fund të pranverës, Presidenti kosovar Rugova më tregoi për takimin e tij me ju dhe për premtimin tuaj se nuk do të lejonit që të ndodhte një Bosnje e dytë. Kjo është politika e duhur. Por, koha për veprim është tani. Një Bosnje e dytë po ndodh në këtë moment të saktë. Shqiptarët e Kosovës s’mund të presin shumë më gjatë që ju ta përmbushni këtë angazhim”, shkruante Dole, përgaditi Bejtulla Destani për KOHA.

Senatori amerikan argumentonte se paralajmërimet ndaj Sllobodan Millosheviqit nuk po jepnin rezultat dhe se vetëm kërcënimi i besueshëm me përdorimin e forcës mund ta ndalte përshkallëzimin.

Dole i kërkonte Clintonit të udhëhiqte NATO-n drejt një reagimi më të vendosur.

“Zoti President, ju nxis ta udhëhiqni NATO-n në përcjelljen te Millosheviqi të vetmin mesazh që ai e kupton – forcën. Unë jam gati t’ju mbështes në çdo mënyrë që mundem”, shkruante ai.

Në letër, Dole paralajmëronte se historia do ta gjykonte rëndë SHBA-në dhe NATO-n nëse masakrat vazhdonin për shkak të mungesës së vullnetit politik për të ndërhyrë.

“Historia do të rrëfejë se kjo masakër ndodhi jo sepse SHBA-së dhe NATO-s u mungonin mjetet, por sepse SHBA-së dhe NATO-s u mungoi vullneti”, shkruante Dole.

Më pak se tetë muaj pas kësaj letre, më 24 mars 1999, NATO nisi fushatën ajrore kundër forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.