
Presidentja e Komisionit Evropian do të takohet me udhëheqësit e rajonit për të rikonfirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të vizitojë rajonin e Ballkanit Perëndimor në mes të muajit tetor, sipas burimeve jozyrtare të këtij institucioni. Vizita nis më 13 tetor dhe përfshin takime me udhëheqësit e gjashtë shteteve të rajonit, ndërsa qëndrimi në Prishtinë është planifikuar për 15 tetor, ku Von der Leyen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas RTK, vizita do të shërbejë si një rast për të rikonfirmuar perspektivën evropiane për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për shkak të kësaj vizite, publikimi i raportit vjetor të Komisionit Evropian është shtyrë për fillim të nëntorit, ndërsa zakonisht publikohet në tetor. Raporti vjetor për shtetet e rajonit pritet të pasqyrojë sfidat e integrimeve: Shqipëria dhe pjesërisht Mali i Zi po avancojnë, ndërsa vendet e tjera kanë ngecur, disa me regres.
Për Kosovën, raporti pritet të përqendrohet tek ngërçi institucional, për Serbinë tek kriza e brendshme dhe protestat, ndërsa Bosnjë e Hercegovina konsiderohet në një krizë shtetërore, dhe Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar në integrime për shkak të vetos bullgare.



