Azem Vllasi: 17 nëntori 1988 – kthesa e madhe që nisi rezistencën gjithëpopullore

Ish-kryetari i Kosovës rikujton ditët kur populli, pa udhëheqësi dhe pa frikë, u ngrit kundër synimeve të Serbisë për të copëtuar autonominë: “Ato ditë hapën një faqe të ndritshme të historisë sonë.”

Azem Vllasi ka rikthyer sot në vëmendje një nga periudhat më vendimtare të historisë së Kosovës, ngjarjet që nisën më 17 nëntor 1988 dhe u shtrinë deri në mars të vitit 1989. Sipas tij, kjo periudhë shënoi fillimin e një kthese të madhe historike, kur populli i Kosovës – i mbetur pa udhëheqjen politike në të cilën besonte – mori vetë në dorë mbrojtjen e interesave të veta, duke kundërshtuar përpjekjet e Serbisë për të rikthyer Kosovën nën kontroll të plotë.

banner

Vllasi thotë se regjimi i Slobodan Millosheviqit, duke shfrytëzuar procesin e ndryshimeve kushtetuese të nisura në nivel federal në vitin 1986, synonte të kthente mbrapsht autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës, duke i rikthyer nën sundimin e Beogradit, ashtu si para rënies së Aleksandar Rankoviqit. Rezistenca e udhëheqjes kosovare në krye me Kaqusha Jasharin, Vllasin vetë, Ekrem Arifin e Rahman Dedajn kishte shkaktuar acarim të madh në Serbi, ku mitingjet politike kërkonin hapur largimin dhe burgosjen e tyre.

Kur presionet politike çuan në shpërbërjen e udhëheqjes së Kosovës, populli reagoi. Më 17 nëntor 1988, ditën kur në Prishtinë po mblidhej Komiteti Krahinor për të miratuar ndryshimet e diktuara nga Beogradi, minatorët e Trepçës u nisën këmbë drejt kryeqytetit për të protestuar. Dy kërkesa ishin kryesore: mosndryshimi i udhëheqjes së Kosovës dhe mosprekja e pozitës kushtetuese të saj pa vullnetin e qytetarëve.

“Në ditët në vazhdim,” shkruan Vllasi, “nëpër rrugët e Kosovës u ngritën në këmbë të rinj e të moshuar. Afro 400 mijë njerëz u përfshinë në këtë lëvizje masovike. Populli doli vetë në mbrojtje të interesave të veta.”

Megjithëse Serbia gjeti bashkëpunëtorë të gatshëm në Prishtinë për t’i dhënë legjitimitet vendimeve të saj – me Rahman Morinën si figurën kryesore – shumica dërmuese e shqiptarëve braktisën Lidhjen e Komunistëve dhe institucionet që tashmë ishin shndërruar në instrument të pushtuesit.

Shtypja u bë brutale. Serbia, me mbështetjen e Federatës, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, vendosi masa policore dhe ushtri, ndërsa protestuesit u përballën me dhunë vdekjeprurëse. Vllasi dhe Ekrem Arifi u arrestuan, bashkë me qindra shqiptarë të tjerë, ndërsa 25 protestues mbetën të vrarë.

Por rezistenca nuk u ndal. Përkundrazi, këto ngjarje – sipas Vllasit – ishin preludi i rrugës së gjatë që do të kulmonte me rezistencën e viteve ’90, luftën çlirimtare dhe pavarësinë në vitin 2008.

“Shqiptarët definitivisht i thanë ‘ejvallah’ Serbisë dhe Jugosllavisë,” shkruan ai. “Rezistenca që nisi në nëntor 1988 është një faqe e ndritshme që duhet përkujtuar. Historia nuk nis me ata që vijnë në pushtet. Ne kemi rrënjë të rezistencës, sakrificës dhe të drejtës sonë për liri.”

Vllasi përfundon se përpjekja për ta zhveshur historinë nga e vërteta, ose për ta nisur atë çdo herë nga e para, është “primitive dhe e pakuptimtë”:

“Historia nuk fillon me askënd. Por nga ata që e mbajnë gjallë kujtesën.”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.