Rama- Muratit: Pse nuk po i qet paret, Hekuran?

Kryetari i Prishtinës thotë se Ministria e Financave po mban peng fondet e Komunës, pavarësisht vendimit të Kuvendit Komunal për bartjen e mjeteve nga viti 2024.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sërish i është drejtuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar atë për bllokimin e mjeteve që duhet t’i transferohen Komunës pas vendimit të Kuvendit Komunal për bartjen e tyre nga viti 2024.

banner

Rama tha se për shkak të këtij bllokimi, disa shërbime komunale janë ndalur ndërsa punëtorët kanë mbetur pa paga, duke theksuar se Komuna po pret ende transferimin e mjeteve nga ministria përgjegjëse. Ai e akuzoi Muratin për krijimin e një “krize artificiale” me motive elektorale.

“Javën e kaluar e votuam bartjen e mjeteve, ndonëse këto obligime kanë mundur të mbulohen lehtësisht nga 35 milionë euro të hyrat vetanake dhe nga granti qeveritare që, për ironi, as nuk kërkojnë votim në Asamble, vetëm vullnet për miratim nga ministri në detyrë, por që vazhdon t’i mbajë të bllokuara me përkushtim!”, shkroi Rama në reagimin e tij.

Ai kujtoi se Komuna është detyruar të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për të votuar 25 milionë euro nga të hyrat e vitit 2024, mjete që – sipas tij – më parë ishin bllokuar tri herë nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Pas votimit, Rama kritikoi deklaratat publike të VV-së se “e shpëtuan kryeqytetin”, duke thënë se qytetarët e dinë se buxheti fillimisht ishte bllokuar po nga ta.

Kreu i Prishtinës pyeti ministrin Murati se çfarë po pret për ta kryer transferimin, duke e akuzuar se po ushtron “një version të varfër të pushtetit” duke mbajtur peng mjetet publike për interesa ditore.

Rama theksoi se pavarësisht pengesave politike, prioritet mbetet pagesa e punëtorëve dhe funksionimi normal i shërbimeve komunale.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.