
Kreu i LDK-së e vlerëson Krasniqin si vizionar, strateg dhe Hero të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e veprës së tij për shtetin dhe lirinë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar kolonel Ahmet Krasniqin në 27-vjetorin e vrasjes së tij, duke e cilësuar këtë humbje si një plagë të rëndë për kombin.
Abdixhiku theksoi se Krasniqi nuk ishte vetëm një ushtarak profesionist, por edhe vizionar i çlirimit, strateg i organizimit, intelektual dhe misionar i pavarësisë së Kosovës.
“Me besimin e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, u emërua Ministër i parë i Mbrojtjes, duke vënë themelet e ushtrisë së Kosovës dhe duke siguruar organizimin strategjik, logjistik dhe ushtarak për luftën e lirisë,” shkroi ai.
Kreu i LDK-së e vlerësoi Krasniqin si gur-themel të shtetit të Kosovës dhe Hero të vendit, duke shtuar se vepra e tij mbetet frymëzim për brezat që vijnë. “Ai na mësoi se liria fitohet me guxim, se shteti ndërtohet me përkushtim dhe se atdheu mbrohet me jetën,” theksoi Abdixhiku.
Ai u shpreh se vrasja e Krasniqit ishte humbje e madhe për kombin, e thelluar nga mos zbardhja e këtij akti kriminal, por shtoi se sot qytetarët duhet të ngrihen krenarë përballë sakrificës së tij. “Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Kolonel Ahmet Krasniqit!” përfundoi Abdixhiku.



