Albin Kurti emëron Arlind Manxhukën Zëdhënës të Qeverisë

Ish-zëdhënësi i LVV-së kalon në detyrë shtetërore, duke mbajtur njëkohësisht edhe pozitën e Këshilltarit Politik të Kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Arlind Manxhukën në pozitën e Zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës.

banner

Sipas vendimit të nënshkruar nga Kurti, Manxhuka do të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë që i përcakton Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe do të kryejë detyra të tjera shtesë të caktuara nga Kryeministri. Ai njëkohësisht do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e Këshilltarit Politik të Kryeministrit.

Në vendim theksohet se emërimi është bërë në mbështetje të nenit 94 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe dispozitave përkatëse të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive.

Zëdhënësi i Qeverisë është i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-108 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Sipas vendimit, marrëdhënia e punësimit e Zëdhënësit të Qeverisë përfundon me mbarimin e mandatit të Kryeministrit, përveç nëse ndërpritet më herët. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

Arlind Manxhuka deri më tani ka shërbyer si zëdhënës i Lëvizja Vetëvendosje, ku është njohur për mbrojtjen publike të qëndrimeve të partisë dhe të kryeministrit Kurti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.