
Kreu i BDI-së akuzon kryeministrin e Kosovës për mbështetje të politikave të kryeministrit të RMV, Kristian Mickoski, në dëm të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për Euronews Albania, deklaroi se pozitat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut po dobësohen për shkak të përfaqësimit të pamjaftueshëm në qeveri. Ai akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se ka marrë anën e kryeministrit të RMV, Kristian Mickoski, duke vepruar në dëm të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre.
“Pse Albin Kurti merr anën e Mickoskit, ka marrë anë dukshëm, mua nuk më pengon. Unë kam bashkëpunuar me të gjitha partitë në Shqipëri dhe Kosovë, asnjëherë nuk kam marrë anë, na duhen marrëdhënie të mira me të dyja shtetet shqiptare. Ka marrë anë hapur në mbështetje të politikave antishqiptare të Mickoskit. 2 muaj mediat në RMV janë marrë me Korridorin e 8, se po ndërtohet në Shqipërinë e Madhe’, tha Ali Ahmeti.
Ai shtoi se për deklaratën e famshme të Kurtit, nëse ka pasur mungesë informacioni, kryeministri i Kosovës duhet të kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.



