
Westerlund thotë se Ligji i Kosovës duhet të zbatohet në të gjitha komunat; integrimi të bëhet në kuadër të dialogut të Brukselit dhe në koordinim me BE-në.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar se integrimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor serb në kuadër të institucioneve të Kosovës duhet të realizohet përmes dialogut Kosovë–Serbi dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
Gjatë një diskutimi të mbajtur në Qendrën Mediale, Westerlund deklaroi se ligji i Kosovës duhet të jetë i zbatueshëm në të gjitha 38 komunat e vendit, duke e konsideruar integrimin si një proces të domosdoshëm.
“Ne besojmë se ligji i Kosovës duhet të jetë i zbatueshëm në 38 komunat. Integrimi duhet të ndodhë në fund në këto çështje. Kam dëgjuar se mjekët dhe profesorët serbë kanë marrë licencat tona dhe kjo është një shenjë e mirë. Shpresoj që qeveria në detyrë do të vazhdojë t’i shqyrtojë këto hapa”, tha ai.
Sipas tij, qytetarët duhet të kenë qasje të barabartë në shërbimet e arsimit dhe shëndetësisë, pa pengesa, duke respektuar kërkesat e komuniteteve lokale. Ai shtoi se ky proces duhet të zhvillohet përmes bisedimeve me komunitetet dhe në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Integrimin e këtyre sektorëve në sistemin e Kosovës e vlerësoi si të pashmangshëm edhe nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq. Ai tha se është e nevojshme të gjenden modalitete praktike që procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
“Çdo marrëveshje duhet të jetë e harmonizuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Çfarëdo zhvillimi i mëvonshëm duhet të jetë në pajtim me to”, theksoi Rashiq.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ditë më parë zhvilloi një takim me ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku prezantoi synimet për nisjen e integrimit gradual të sistemit shëndetësor dhe arsimor serb, duke kërkuar koordinim të ngushtë me Bashkimin Evropian.



