
Gazetari nga Shqipëria thotë se një presidente që kërkon rikandidim nuk mund të “fshihet me një të rënë të lapsit” pa analizë të mandatit.
Gazetari nga Shqipëria, Andi Bushati, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe diskutimet për mosrikandidimin e presidentes Vjosa Osmani.
Bushati është shprehur se, ndonëse personalisht nuk do ta kishte votuar Osmanin – duke përmendur ndryshimin “180 gradë” të kursit ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si dhe atë që e cilësoi si “valvitje servile të panevojshme të flamurit amerikan” – megjithatë mënyra se si po trajtohet çështja e saj është e gabuar.
Sipas tij, një presidente që synon rikandidimin nuk mund të largohet nga gara “me një të rënë të lapsit”, pa një bilanc dhe analizë publike të mandatit të saj.
“Sidomos Vetëvendosja, por edhe opozita kanë qenë të detyruara të prononcohen PRO ose KUNDËR saj me argumente, jo me lojëra kulisash personale”, ka shkruar Bushati.
Ai thekson se mungesa e një debati të hapur dhe të argumentuar nuk është vetëm në dëm të Osmanit apo të institucionit të presidentit, por mbi të gjitha në dëm të qytetarëve.
“Duke mos e bërë atë, nuk përdhosin vetëm Vjosën, as vetëm kryetaren e shtetit, por mbi të gjitha votuesin e thjeshtë, i cili rezulton i papërfillshëm para interesave partiake”, është shprehur Bushati.



