
Ardian Gjini shpall kandidaturën
Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Lajmi u bë i ditur pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku u vendos edhe shpallja e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet.
Haradinaj konfirmoi se nuk do të kandidojë për kryetar në këto zgjedhje të brendshme, duke theksuar se vendimi vjen pas një periudhe të gjatë në udhëheqje dhe pas rezultatit jo të kënaqshëm në zgjedhjet e fundit.
“I kam treguar kolegëve të mi disa arsye. Është kohë e gjatë në udhëheqje, është një faktor, dhe rezultati jo i mirë i zgjedhjeve, por edhe sikur të ishte ndonjë rezultat tjetër prapë do ta merrja këtë vendim dhe besimi që kam në njerëzit e AAK-së”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai shtoi se do të vazhdojë t’i shërbejë partisë dhe kryetarit të ri. “Jam betuar që do t’i shërbej AAK-së gjithë jetën dhe kryetarit të ri dhe e kam për nder me i ndihmu. AAK është vlerë e Kosovës. Është vendim që ngjall shpresë”, tha ai.
Ndërkohë, Ardian Gjini ka shpallur kandidaturën për kryetar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
AAK është formuar në vitin 2000 dhe që nga themelimi i saj është udhëhequr nga Ramush Haradinaj.



