
Policia e Kosovës ka njoftuar për aksionin e arrestimit të Arianit Sllamnikut, i cili u arrestua për shkak të dyshimeve për veprimtari të dyshimtë mjekësore.
Policia ka njoftuar edhe për gjetjet që ka bërë në bastisje.
Për më shumë, lexojeni komunikatën e plotë:
Arrestohet një person i dyshuar për veprat penale – Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike Neni.256 dhe Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave Neni.257
Prishtinë, më 20 janar 2026
Pas publikimit në mediat elektronike për veprimtari të dyshuar mjekësore, Policia e Kosovës konkretisht Sektori Rajonal i hetimeve DRP Gjilan, në bashkëpunim me institucionet dhe njësitë tjera relevante, bazuar në autorizimin e Prokurorit të Shtetit, më datë 20.01.2026 ka ndërmarrë veprime fillestare hetimore ndaj të dyshuarit A.S., (1978) M/K nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtari mjekësore përkatësisht ka kryer veprat penale: Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, dhe eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave të sanksionuara me KPRK.
Me qëllim të gjetjes dhe mbledhjes së provave, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, është ushtruar kontroll në pronat e të dyshuarit, ku prezent kanë qenë edhe inspektorët përkatës nga Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë asistuar hetuesit policorë për sa i përket medikamenteve farmaceutike.
Gjate kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar ;
Dy armë zjarri të gjata (me leje përkatëse),
Dy armë zjarri te shkurtra (me leje përkatëse),
Sasi e municionit dhe disa karikatorë të armëve,
Medikamente të ndryshme,
Libra protokolli si dhe,
Pajisje elektronike (shtëpizë kompjuteri, telefon, microçipa)etj.
I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.



