
109 persona janë arrestuar lidhur me dyshimet për manipulim me vota në komunën e Prizrenit.
Kryeprokurori i Prokurorisë themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka thënë se 109 persona janë ndaluar lidhur me manipulimin e votave, derisa ka theksuar se katër partitë kryesore në vend “i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar se larg syve të drejtësisë mund të manipulojnë”.
Kryeziu ka shtuar se manipulimi do të ishte i pamundur po të mos kishte kompromis në mes të komisionerëve. Ka thënë më tej se 6 janë liruar, ndërsa 109 janë ndaluar, shkruan KOHA.
“Sot 4 prokurorët e krimeve të rënda janë marrë me procese dhe kanë dalë në stacione policore dhe kanë lëshuar 109 vendime për ndalim, deri tash i kemi 109 të ndaluar për vepra penale të flasifikimi të rezultateve, presion e kanosje dhe dhënie e marrje të ryshfetit. Sot kemi pasur edhe dëshmitarë dhe situata që kanë treguar kush ka marrë dhe nga kush ka marrë ryshfet”, ka thënë ai në konferencë për media.
Kryeziu ka thënë tutje se bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara vetëm në rajonin e Prizrenit.
“Nuk bëhet fjalë për dhjetëra e qindra por mijëra vota të manipuluara. Ka kandidatë vetëm për kandidatë të subjekteve të caktuara politike që kanë deri mbi 6000 vota. Bëhet fjalë edhe për situata ku vetëm në një vendvotim numri i manipuluar ka shkuar deri 2444 vota, pra vetëm në një klasë. Në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një vendvotim që ka dalur e pakeqpërdorur. Në Komunën e Prizrenit 40,497 vota janë shtuar e janë hequr 27, 520 vota. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota”.
Kryeziu është pyetur nëse do të ketë ndëshkim edhe për kandidatët politikë të cilëve u janë shtuar ose hequr vota. Ai është përgjigjur se deri tash nuk ka prova për përfshirje direkte të tyre.
“Deri tash po veprojmë ndaj atyre që drejtpërdrejt kanë keqpërdor rezultatet, ata kanë vënë nënshkrimet e tyre. Deri në këtë fazë nuk kemi informacion që e involvon ndonjë kandidat për ndërhyrje. Por edhe kandidatët do të dëgjohen në Prokurori. Prokuroria së paku do t’i dëgjojë si palë e dëmtuar. Do bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë për secilin prova”.



