
Dyshohet se ka ofruar terapi të paligjshme duke përdorur barna të destinuara për kafshë tek fëmijët me autizëm.
Arianit Sllamniku është arrestuar nga Policia e Kosovës në qytetin e Gjilanit.
Portali Insajderi ka mësuar përmes burimeve se Sllamniku është ndaluar nën dyshimet për ushtrim të veprimtarisë së paligjshme.
Sipas informacioneve, ai dyshohet se ka ofruar “terapi” për disa familje, duke pretenduar se mund të shërojë fëmijët me autizëm përmes përdorimit të barnave të caktuara.
Hetimet kanë zbuluar se substancat e sugjeruara nga Sllamniku janë të ndaluara për përdorim njerëzor dhe janë të destinuara për kafshë.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit, ndërsa pritet që ndaj të dyshuarit të ndërmerren masa të mëtejme ligjore.



