
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se Kosova nuk është prishur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ka vetëm disa dallime.
“Sipas deputetit Kurti, Ambasada Amerikane në Prishtinë qenka e veçuar nga politika e jashtme amerikane. Me siguri edhe kur është tallur me sekretarin e shtetit ka mendu që po bën shaka me një fqinjë të rëndomtë. Pra, ky është niveli i seriozitetit të Kurtit i cili ka uzurpuar zyrat e shtetit dhe po teston limitet e Prokurorisë, veprimin e të cilës po e presim me muaj,” ka shkruar Bajrami.
Ajo theksoi se për kryeministrin nuk ka rëndësi pezullimi i procesit të fillimit të Dialogut Strategjik me SHBA-të.
“Natyrisht, se Kurtit nuk i duket asgjë pezullimi i prpocesit të fillimit të Dialogut Strategjik me SHBA-të sepse kurrë në jetën e tij nuk ka kontribu për të ndërtuar raporte me SHBA-të apo ndonjë aleatë tjetër të shtetit tonë,” tha ajo.
Bajrami e akuzoi Kurtin se po e relativizon masën e SHBA-ve.
“Kurti është tallur me sekretarin amerikan, është tallur me Shtëpinë e Bardhë dhe tash po tallet me qytetarët e Kosovës, duke thënë se dikush tjetër po ekzagjeron masën e fundit të SHBA-ve që është pezullimi i fillimit të Dialogut Strategjik,” shtoi ajo në postimin e saj në Facebook.
Në fund, Bajrami tha se gjatë pesë viteve në pushtet Kurti nuk ka arritur asgjë përveç tenderëve njëburimor dhe tregtimit me energji elektrike.
“Të vetmen punë që ka bërë në këto pesë vjet Albin Kurti është rritja e tregtimit të energjisë elektrike dhe rreth 300 milionë euro tenderat njëburimor,” ka shkruar Bajrami.



