
Vendimi ngjall reagime të forta nga BE, IKD dhe GLPS, duke theksuar shkelje ligjore dhe rrezik për reformën.
Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) kanë shkarkuar sot Kryeprokurorin e Shtetit në detyrë, Besim Kelmendi, gjatë një mbledhjeje paraditen e sotme.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë reagoi menjëherë, duke theksuar se vendimi pengon reformën e nevojshme të KPK-së dhe cenon parimet e sundimit të ligjit. “Shkarkimi i sotëm i Kryeprokurorit të Shtetit në detyrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformën e vazhdueshme dhe të nevojshme të KPK-së dhe shpërfill parimet e sundimit të ligjit dhe detyrën ndaj qytetarëve”, tha BE-ja, duke shtuar se kjo minon progresin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Vendimin e ka kritikuar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili e ka cilësuar si “paligjshëm, arbitrar dhe abuziv”, duke theksuar mungesën e kuorumit në disa raste gjatë votimit. “Kjo mënyrë e veprimit, përveç se e kundërligjshme, është haptazi kapje e institucionit, në kuptimin literal të saj”, deklaroi IKD.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) gjithashtu shprehu shqetësim për zhvillimet e mbledhjes, duke theksuar se vendimet për shkarkimin e Kelmendit dhe emërimin e Agron Qalës si ushtrues detyre janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për KPK-në dhe Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e KPK-së.
Gjatë mbledhjes, propozimi për shkarkimin e Besim Kelmendit u miratua me pesë vota për, ndërsa ai dhe katër anëtarë të tjerë të Këshillit lëshuan mbledhjen, duke deklaruar se po tentohet shkatërrimi i sistemit. Në vend të tij, si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit u caktua Agron Qala.



