
Vendimi i Bashkimit Evropian për uljen drastike të kërkesave për azil ka nxitur reagime të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve.
Bashkimi Evropian njoftoi të enjten se do t’i ulë në mënyrë drastike kërkesat për azil nga shtatë vende në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, duke i shpallur ato si “vende të sigurta origjine”, raporton agjencia “AP”. Vendimi ka shkaktuar zemërim të gjerë nga grupet e të drejtave të njeriut, veçanërisht pasi u bë publik në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve.
Në mesin e vendeve të konsideruara të sigurta është edhe Kosova, së bashku me Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë. Sipas një marrëveshjeje mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, këto shtete do të konsiderohen të sigurta nëse u mungojnë “rrethana përkatëse, si dhuna pa dallim në kontekstin e një konflikti të armatosur”.
Si rrjedhojë, kërkesat për azil nga shtetasit e këtyre vendeve do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara. Marrëveshja parashikon gjithashtu që lista e vendeve të sigurta të mund të zgjerohet në të ardhmen, në përputhje me procedurat e zakonshme legjislative të BE-së.
Në listën e vendeve të sigurta përfshihen edhe shtetet kandidate për anëtarësim në BE, përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të veçanta si konflikte të armatosura ndërkombëtare apo të brendshme, ose kufizime serioze të të drejtave dhe lirive themelore.
Koncepti i “vendeve të sigurta të origjinës” u lejon shteteve anëtare të aplikojnë një sistem të veçantë për shqyrtimin e kërkesave për azil. Sipas rregullores së procedurës së azilit të vitit 2024, e miratuar si pjesë e Paktit për Azil dhe Migracion, kërkesat nga këto vende duhet të trajtohen përmes procedurave të përshpejtuara, të cilat mund të zhvillohen edhe në kufi apo zona tranziti.
“Çdo vit dhjetëra mijëra njerëz mbërrijnë në Evropë dhe aplikojnë për azil edhe pse vijnë nga vende të sigurta, ku në përgjithësi nuk ka rrezik përndjekjeje. Sot ramë dakord për listën e parë të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës, e cila do të ndihmojë në krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit dhe kthimin e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje”, deklaroi ministri danez për Imigracion dhe Integrim, Rasmus Stoklund.
Marrëveshja duhet të konfirmohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian përpara miratimit zyrtar. Rregullorja pritet të hyjë në fuqi dhe lista e vendeve të sigurta të zbatohet njëkohësisht me procedurën e re të azilit, më 12 qershor 2026.
Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë reaguar ashpër. Olivia Sundberg Diez nga Amnesty International i cilësoi masat e reja si “një përpjekje të paturpshme për të anashkaluar detyrimet ligjore ndërkombëtare”, duke paralajmëruar se ato mund të rrezikojnë seriozisht migrantët dhe azilkërkuesit.



