
Reagimi vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje kandidoi Glauk Konjufca për postin e Presidentit.
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pasi Lëvizja Vetëvendosje kandidoi Glauk Konjufca për postin e Presidentit të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e shtyn vendin drejt një krize të re politike.
Sipas Çitakut, “tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total”, duke shtuar se në një kohë kur Kosova ka nevojë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, kreu i qeverisë po zgjedh me vetëdije përplasjen politike.
Ajo theksoi se zgjidhja për zgjedhjen e presidentit ka ekzistuar dhe se mundësia për marrëveshje mes subjekteve politike ka qenë reale. “Por Kurti zgjodhi krizën. Zgjodhi përplasjen. Zgjodhi interesin e tij politik mbi interesin e shtetit”, deklaroi Çitaku.
Sipas saj, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një situatë të tillë dhe institucionet e shtetit nuk janë pronë e askujt. “Kosova është më e madhe se ambicia e kujtdo”, përfundoi ajo.



