
Kryetari i Tetovës akuzon BDI-në për hipokrizi dhe lidhje të fshehta me Beogradin, ndërkohë që para qytetarëve shfaqen si patriotë.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka ngritur akuza të forta ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe liderit të saj Ali Ahmeti. Ai tha se ka publikuar dëshmi që tregojnë se babai i gruas së djalit të Ali Ahmetit ka shitur mijëra aksione të kompanisë “AS Senjak” tek “Alta Banka” në Serbi, e lidhur me presidentin Aleksandar Vuçiq.
“Sot prezantova dëshmitë se si miku i Ali Ahmetit, përkatësisht babai i gruas së djalit të tij, mijëra aksionet e kompanisë së tij ‘AS Senjak’ ia ka shitur bankës serbe ‘Alta Banka’, e lidhur me Vuçiqin,” deklaroi Kasami, duke e cilësuar këtë si provë të lidhjeve të fshehta të BDI-së me Serbinë.
Sipas tij, ndërkohë që për publikun BDI flet për patriotizëm dhe akuzon kundërshtarët, në prapaskenë “bën pazare me serbët dhe i hap derën Beogradit”. Kasami tha se kjo është “hipokrizi dhe manipulim i papranueshëm” dhe paralajmëroi se do të nxjerrë të tjera fakte mbi lidhjet e BDI-së me “Botën Serbe”.
“Politika duhet të ketë vija të kuqe. T’ia shesësh shpirtin djallit për ta akuzuar tjetrin politikisht shkel me dy këmbë çdo vijë të kuqe kombëtare,” përfundoi Kasami.



