
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka dalë në mbështetje të protestuesve që prej javësh po protestojnë në Tiranë, duke kundërshtuar pretendimet se lëvizja po nxitet nga faktorë të jashtëm apo manipulime në rrjetet sociale.
Sipas Bushatit, protestuesit janë qytetarë që kanë reaguar ndaj mënyrës se si po qeveriset vendi dhe ndaj lidhjeve mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar.
“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë”, ka shkruar ai.
Bushati vlerësoi se protestuesit kërkojnë më shumë drejtësi, dinjitet, shpresë dhe mundësi për të gjithë qytetarët.
“Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar”, ka theksuar ai.



