
Eksperti i KDI-së thotë se moszgjedhja e presidentit deri më 5 mars çon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka paralajmëruar se vonesat në certifikimin e rezultateve zgjedhore mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas tij, rreziku kryesor lidhet me moszgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues, çka do të aktivizonte automatikisht procedurat për zgjedhje të parakohshme.
“Nëse rezultatet nuk certifikohen me kohë dhe vendi mbetet pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri, atëherë ekziston mundësia reale që të shpallen zgjedhje të reja. Rreziku është që të hyjmë në muajin shkurt ose mars pa pasur rezultate të certifikuara dhe kjo mund të na nxjerrë jashtë afatit për zgjedhjen e presidentit”, ka deklaruar Cakolli në emisionin Tëvë1.
Ai theksoi se Kushtetuta e Kosovës parasheh qartë se nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 mars, atëherë automatikisht shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht nëse Kuvendi është konstituuar apo nëse është zgjedhur Qeveria.
“Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në afatin kushtetues, automatikisht shpallen zgjedhje të reja parlamentare”, u shpreh Cakolli.



