
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së thotë se pamje të tilla në tubime partiake i ngjajnë regjimeve autoritare.
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj këngës së deputetes dhe këngëtares Edona Llaloshi, e cila në një tubim partiak i këndoi kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me vargjet “Jam Albini, pushkë me qitë”.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Çitaku e cilësoi këtë veprim si një formë të tepruar adhurimi, që sipas saj është e dëmshme për shëndetin e demokracisë. Ajo theksoi se ndonëse është e kuptueshme që mbështetësit të shprehin simpatinë për liderin e tyre, kjo mënyrë e shprehjes në një organizim politik është e papranueshme.
“Sikur të ishte skeq humoristik, sigurisht se kishim me u shkri t’u qesh. Pamje si kjo, ku një deputete, një këngëtare i këndon liderit në prani të tij, në një organizim politik, ndodhin vetëm në Korenë e Veriut”, u shpreh Çitaku.
Ajo shtoi se praktika të tilla krijojnë kult personaliteti dhe e zhvendosin debatin politik nga idetë dhe programet drejt glorifikimit të individit, gjë që, sipas saj, nuk i shërben një shoqërie demokratike.



